Qeveria hedh për konsultim projektvendimin, do të shpenzohen rreth 32 milionë euro në dy vite për menaxhimin e kufirit

Qeveria shqiptare do të shpenzojë 3.5 miliardë lekë ose rreth 32 milionë euro për menaxhimin e vijës kufitare të Shqipërisë për dy vite. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për Planin e Veprimit 2024-2025.

‘Projektvendimi i Këshillit të Ministrave synon të shërbejë si një instrument për të bashkërenduar të gjithë aktorët e interesuar shtetërorë dhe joshtetërorë, si dhe partnerët ndërkombëtarë që ndihmojnë e mbështesin vendin në përmirësimin e të gjithë komponentëve të menaxhimit të integruar të kufirit, duke adresuar problematikat e sfidat me mënyrat e mjetet për t’i përballuar ato.’- thuhet në projektvendim.

Sipas projektvendimit, gati 1.9 miliardë lekë do të shpenzohen për menaxhimin e 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Pjesa tjetër e parave do të shkojnë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në dogana si dhe për të pritur e trajtuar azilkërkues me kombësi të ndryshme.

“Bazat e ndërhyrjeve dhe veprimeve të përcaktuara në Planin e Veprimit kanë të bëjnë me përmirësimin dhe përafrimin e kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, ngritje të kapaciteteve, forcimin e qasjes parandaluese ndaj formave të krimit ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, modernizimin dhe lehtësimin e shërbimeve dhe qarkullimit të shtetasve dhe mallrave.”- thuhet në projektvendim.

Plani i Veprimit sipas ministrisë së Brendshme është edhe një hap më pranë Bashkimit Europian.

“Plani i Veprimit mbështet synimin strategjik e politik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes progresit dhe konsolidimit të institucioneve, rritjes dhe modernizimit të kapaciteteve, përmirësimit të infrastrukturës dhe sistemeve, modernizimit dhe lehtësimit të shërbimeve, forcimit të bashkëpunimit institucional, rajonal dhe ndërkombëtar.”

Pjesa më e madhe e parave që do të shpenzohen për zbatimin e Planit të Veprimit 2024-2025, 2.7 miliardë lekë apo 78 për qind e totalit do të dalin nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër do të mbulohet nga shtete partnere.

Plani i Veprimit është një shprehje e qartë qeverisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme të karakterit institucional, ligjor dhe buxhetor për t’iu përgjigjur në mënyrë të koordinuar nevojave dhe objektivave në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027.


Shtuar 31.05.2024 22:50