Meta firmosi nga Stambolli dekretin për Bajram Begajn, ish-presidenti Topi: Veproi në mënyrë korrekte

Ish-Presidenti Bamir Topi komentoi veprimin e Metës pak ditë më parë kur firmosi dekretin e Bajram Begajt nga Stambolli.

Topi është shprehur se ai ishte një veprim i drejtë dhe korrekt duke i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit.

Unë jam i mendimit se Presidenti Ilir Meta ka vepruar në mënyrë korrekte. Sot jemi në kohën e teknologjisë dhe nëse është ndodhur në Stamboll nuk ka ndonjë lapsus.

Është konfirmuar me figurë dhe firmë elektronike. Unë nuk mund ta vendos veten në këto kushte, sepse asnjëherë nuk i ngjan njera-tjetrës, por besoj se është një procedurë korrekte kushtetuese dhe nuk do ta kisha penguar”, tha Topi në ”Report Tv”.

Ish-presidenti u shpreh se nuk do preferonte në krye të shtetit një figurë me profil politik. Kjo sipas Topit i shërben ruajtjes së institucionit të Presidencës nga sulmet e ditës apo tentativat e vazhdueshme për ta zhvlerësuar dhe hequr kompetencat./albeu.com