Përdorimi i celularëve nga fëmijët e adoleshentët, shpesh herë është parë nga prindërit si një mundësi e mirë që fëmijët të mësojnë anglisht përmes përdorimit të rrjeteve sociale, në veçanti Youtube, por rezultati që nxori matura shtetërore 2024, është zhgënjyes. Lundrimi online duket se ka ndihmuar vetëm për një rrjedhshmëri apo theks me të mirë të gjuhës së huaj, por jo njohjen e saj të plotë, pasi në testin me shkrim të gjuhës së huaj, ka qindra mbetës.
Konkretisht në provimin e gjuhës së huaj dështuan të merrnin një notë kaluese, 952 nxënës, nga të cilët 894 prej tyre në provimin e gjuhës angleze, ndërsa në 5 gjuhët e tjera 58. Mbetësit në gjuhën e huaj janë gati 3 fish krahasuar me vitin e kaluar, që ishin 384.
Eksperti i Arsimit Ndriçim Mehmeti, i ftuar në emisionin “Përballje” rezultatin e dobët të maturantëve e sheh si një problem të kahershëm, që në 9 vjeçare, pasi sipas tij kjo lëndë nuk mësohet në mënyrë të strukturuar.
Nuk e mësojmë në mënyrë të strukturuar, duke filluar që nga fjala përdorimi, interpretimi, vendosja e sinonimeve dhe antonimeve. Kemi një problem që vijnë nga 9- vjeçarja me nivel të ulët dijesh dhe në gjimnaz bëhen më të dobët, sepse atje ai nuk do mësoj nga e para rregullat, por atje thellohen dijet. Por gjuhën e huaj një pjesë e bëjnë në 9-vjeçare dhe një pjesë në gjimnaz, ndërsa testin e bëjnë njësoj për të gjithë, Problem edhe klasat kolektive”.
Për ekspertët notat fiktive te nxënësit nga mësuesit dhe ndihmesa nëpër provime, po grabisin të ardhmen e nxënësve.
“Kjo punë nuk bëhet vetëm në maturë, bëhet që tek vanafi. Ndihmojmë nxënësit që të dalin sa më mirë. Me pak fjalë ne i kemi mësuar nxënësit me ryshfet që në fillim, me hajdutëri”, shprehet Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi.
“Problem është se ne i kemi mësuar që në klasë të pestë. Rastësisht kam kaluar te shkolla Jeronim De Rada dhe kur dolën nxënësit e pestë nga vanafi, një fëmijë i thotë gjyshit, o gjyshi ‘o gjyshi dola mirë, sepse mësuesja i kishte ushtrimet në një fletë dhe e bëra, që dmth ne i mësojmë që të vegjël që atë ushtrim që nuk e din do ta japi mësuesja”, tha Tatjana Jaupaj, mësuese.
“Nga sondazhet që ne kemi bërë se përse kopjoni, përgjigjen për frikën nga familja apo nga mësuesi në vend që të kemi këtë të mësuarin me nivel dhe kronologjik, sistematik”, tha Gevio Tabaku, portali studentor,
Sa i përket notave, shqetësuese është edhe rënia drastike e nxënësve që kanë marrë vlerësim maksimal. Ekselentët në provimin e gjuhës së huaj rezultojnë vetëm 119 nga rreth 26.600 nxënës, ndërsa vitin e kaluar ishin 1043 nga rreth 28 mijë të testuar. Pra një rënia me rreth 9 herë.