“Këta janë pushtetarë”, Berisha tregon pse opozita bllokoi punimet në Kryesinë e Kuvendit

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama e konsideron opozitën si armike.

Berisha tha jashtë Kryesisë së Kuvendit se beteja që ka nisur opozita, është betejë për qytetarët.

“A ka gjë më absurde se sa të privosh deputetët nga atributi i tyre kryesor kushtetues i tyre, e drejta ligjbërëse. Këtë të drejtë e ka kryeministri i vendit, Kuvendi, 20 mijë qytetarë. Këtë të drejtë Linda e parlamentit ua heq deputetëve. Nuk mund të pranohet kurrë që t’u mohohet e drejta e ngritjes së komisioneve parlamentare. Do të më falni pak këtu.

Neni 77 i Kushtetutës thotë në pikën 2; kuvendi ka të drejtë që me kërkesë të ¼ të anëtarëve të tij, është i detyruar që të caktojë Komsion Hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

Janë mohuar që të 8 komisionet, në mënyrë jo demokratike. Po pse janë deputetët e opozitës në Parlament? Çfarë kanë qenë këto objektet e hetimeve? Kanë qenë koncesionet, sterizilimet, të cilat Rama me Beqjan e tij ia dhunuan kompanisë së vetë mjediset dhe aparaturat e blera. Duke deklaruar se kjo do të rriste cilësinë e sterilizimit.

E kanë bërë sterilizimin dy herë më të shtrenjtë se Gjermania. A nuk kanë të drejtë qytetarët që të dinë të vërtetën e kësaj gjobe të tmerrshme prej 100 mln euro. Mijëra shqiptarë nuk u operuan për pamundësinë e mungesës së veglave mjekësore. S’bëjnë dot analiza se i kanë marrë njerëzit e Ramës laboratorët. A nuk kanë të drejtë qytetarët të dinë se pse janë kështu spitalet.

Pse jemi ne në Parlament? Këta kanë pushtuar. As pushtuesi nuk mund të sillej në këtë mënyrë. A nuk presin qytetarët që të dinë lidhjen e Ramës me McGonigal? Po në dosjen shqiptare kush është protagonist?”, tha ai.


Shtuar 1.11.2023 11:41