Janë vendosur në pranga, të dy personat e përfshirë në konfliktin me armë në ngjarjen e ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Pogradecit dhe janë sekuestruar dy armët e zjarrit, të përdorura nga autorët e krimit.
Në vijim të punës për hetimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur sot pranë kryqëzimit të Tushemishtit, dhe falë negociatave të bëra nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec me familjarët e dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, është arritur kapja dhe paraqitja para drejtësisë e tyre. Konkretisht, janë arrestuar personat:
D. M., 32 vjeç dhe K. L., 27 vjeç, banues në Pogradec.
Shtetasit e mësipërm, gjatë një konflikti të çastit, me shtetasin A. J., 27 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, i cili për pasojë mbeti i plagosur dhe ndodhet për mjekim në spital.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dy armët e zjarrit që dyshohet se u përdorën në konflikt, nga autorët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.