Jo vetëm me Dritan Lelin, Rama ka qejfmbetje edhe me një deputet socialist

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kandidatët për deputetë në qarkun e Vlorës, fill pas përplasjeve me kryebashkiakun Dritan Leli. Rama falenderoi të gjithë deputetët, e këtij mandati katërvjeçar që po mbyllet, e që nuk janë në lista, ndërkohë që nuk përmendi Alket Hysenin, i cili shfaqi pakënaqësi me renditjen i 11 në listë.

Rama vlerësoi për punën e bërë deputeten Vilma Bello, Andrea Manon apo Edmond Leka, por jo Hysenin, i cili dhe pas tërheqjes nga listat deklaroi se do të ndihmonte PS-në.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ne jemi një skuadër që secili bën detyrën në pozicionin që mban, jemi të hapur edhe për të tjerë djem dhe vajza që meritojnë të kenë shansin e tyre. Dua ta ritheksoj që objektivi ynë për Vlorën është që të marrim si bazë 8 deputetë dhe deputete, dhe të synojmë maksimizimin e forcave për 9 deputetë.

Është një sfidë që ne e kemi në radhë të parë me vetveten, pasi kemi bërë jashtëzakonisht shumë për të gjithë qarkun e Vlorës, dhe shumë akoma kemi për të bërë, dhe jo të gjithë e kanë prekur ndryshimin para pragut të shtëpisë së tyre. Ka akoma lagje periferike që kanë nevojë për ndryshim, fshatra që kanë nevojë për rrugën e tyre rurale.

Kanë nevojë për të pasur shkolla të rindërtuara apo të reja, në disa pika ku progresi ende nuk ka mbërritur. Mbi të gjitha ka nevojë për kohë, mandatin e tretë ne e kërkojmë si një kohë për të vazhduar transformimin e madh të ndryshimit të vendit.


Shtuar 11.03.2021 14:55