Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë këtë të diel festën e Kurban Bajramit.
Mëngjësin e kësaj të diele me mijëra besimtarë të besimit islam e kanë nisur me faljen e namazit në xhami apo në sheshet kryesore.
Qindra besimtarë në Elbasan u mblodhën në sheshin “Gensher”për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Në fjalën e tij myftiu i Elbasanit Agim Duka referuar ngjarjeve të fundit që kanë tronditur themelet e familjes bëri thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të saj dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Besimtarët përcollën urimet e tyre dhe folën për rëndësinë e solidarizimit për njerëzit në nevojë.Falja e Kurban Bajramit në Vlorë është zhvilluar në sheshine flamurit pranë xhamisë kryesore të qytetit. Qindra besimtarë ishin në shesh ndërsa falja e namazit është bërë nga myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.
Më të bashkuar se kurrë duke uruar njëri-tjetrin, besimtarët myslimanë në Fushë Krujë kanë falur Kurban Bajramin. Besimtarët, që në orët e para të mëngjesit, janë bashkuar në stadiumin e këtij qyteti i tejmbushur nga të gjitha grupmoshat. Sipas fesë Islame rituali dhe festa e Kurban Bajramit nis me faljen nëpër Xhami dhe më pas me prerjen e Kurbanit për ata që kanë mundësi dhe shpërndajnë për njerëzit në nevojë.
Besimtarët myslimanë të Shkodrës kanë falur namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor te qytetit. Myftiu i Shkodres Imam Muhamed Sytari ju drejtua besimtarëve duke kërkuar ruajtjen e paqes dhe të harmonise në vend.