EMRI/ U përfshi në trafikun e drogës për të shlyer borxhet, dënohet me burg 25-vjeçari shqiptar në Angli

Një 25-vjeçar shqiptar, i cili u përfshi në trafikun e drogës për të shlyer një borxh që u kishte trafikantëve të cilët e çuan në Britaninë e Madhe, është dënuar me 28 muaj burg.

Erion Hoxha po ngiste një Audi të pasiguruar përgjatë Bramford Road në Ipswich muajin e kaluar kur u ndalua nga policia u tha në gjykatën e Ipswich Crown.

Hoxha u tha oficerëve se kishin ndaluar njeriun e gabuar dhe në momentin e ndalimit kishte sulmuar një officer policie duke i shkaktuar një prerje në dorë dhe mavijosje.

Nëntëmbëdhjetë pako me kokainë, një patentë drejtimi greke, një telefon celular dhe 285 paund para të gatshme u zbuluan gjatë kontrollit në makinën e tij.

Gjithashtu gjatë kontrollit në shtëpi policia i gjeti edhe 19 pako të tjera me kokainë të fshehura në dhomën e gjumit.

Kur telefoni i tij u analizua nga ekspertët, u zbulua se përmbante mesazhe që tregonin përfshirjen e tij në furnizimin me kokainë duke përdorur metodën e dërgimit me kod postar.

Mesazhet në telefon tregonin se një ditë para arrestimit të Hoxhës, 26 klientëve u ishin dorëzuar 39 pako me kokainë me një vlerë totale prej 1530 £.

Pasi dha dënimin, gjykatësi Nicola Talbot-Hadley tha se ai kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme dhe si rezultat ai nuk mund të punonte ligjërisht./Albeu.com/


Shtuar 17.03.2023 18:08