EMRI/ Mashtroi qytetarin dhe i kërkoi 7 mijë euro, arrestohet oficeri i “Fast” në Elbasan

Oficeri i njësisë “Fast” në Elbasan, Sokol Fana, është arrestuar.

Fana, 26 vjeç, është vënë në pranga pasi kishte mashtruar shtetasin K.H duke i thënë se nëse donte që te mos arrestohej nga njësia e tij “Fast” për llogari të drejtesisë italiane, duhet t’i pagunte atij 7 mijë euro.

Arrestimi i oficerit ka ndodhur orët e para të ditës së sotme, ndërsa shtetasi K.H kishte verifikuar se nuk ishte aspak në kërkim, ndaj ka njoftuar policinë e cila e ka arrestuar në flagrancë.

Njoftimi:

Elbasan – Strukturat hetimore të DVP Elbasan, ato operacionale të DPPSH në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Elbasan-Korçë kanë arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, S.F., me detyrë N/Specialist në Njësinë FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Arrestimi i 26-vjeçarit u krye pasi në shpërdorim të detyrës si punonjës i Policisë së Shtetit, ka mashtruar një shtetas nga Elbasani. Ai ka paraqitur gjithashtu të dhëna të rreme para Oficerit të Policisë Gjyqësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë e markës e dy aparate celularë. Është bërë shoqërimi i tij në DVP Elbasan, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” i mbetur në tentativë, “Shpërdorim i detyrës”, “Kallëzim i rremë”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me SHÇBA dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese vijon luftën kundër paligjshmërisë dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit./albeu.com


Shtuar 5.11.2021 07:54