EMRAT/ Grushte mes kandidatëve të PS në Durrës, 6 persona në polici

Një përplasje e fortë fizike ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në shtabin e Partisë Socialiste të Durrësit.

Mësohet se në sherr u përfshinë kandidatët e Partisë Socialiste për Durrësin Alban Xhelili dhe Erion Meka. Shkak i konfliktit mes tyre ishte përdorimi i mbështetësve të PS-së për fushatë, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi brenda kampit socialist, gjë për të cilën nuk janë kursyer grushtet mes kandidatëve.

Siç duket edhe nga planet e siguruara nga albeu.com, sherri ka nisur në brendësi të ambientit që përdoret nga Partia Socialiste në zonën e Plazhit në Durrës për të vijuar edhe jashtë me shkelma dhe grushte duke bërë që në zonë të mbërrijnë një numër i madh policësh.

Xhelili mban numrin 2 në listën e PS-së për Durrësin, ndërsa Meka, numrin 15.

Siç mësohet paraprakisht, pas sherrit u shoqëruan në komisariat gjashtë persona, mes tyre edhe shefi i shtabit të PS për zonën e Plazhit, Eri Kapllani. /albeu.com

Shtuar 19.04.2021 04:04