Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të ngarkurën me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn. Ka qenë Ambasada Amerikane në Tiranë që ka ndarë detaje nga biseda mes kreut të qeverisë dhe Nancy VanHorn.
VanHorn rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të SHBA për Shqipërinë, si dy partnerë strategjikë. VanHorn po ashtu vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon, duke theksuar se ka rol kryesor në avancimin e paqes dhe prosperitetit.
“E ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, u takua sot me kryeministrin Edi Rama për të festuar miqësinë e fortë dhe vlerat e përbashkëta mes kombeve tona si aleatë të NATO-s dhe partnerë strategjikë. Znj. VanHorn rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Qeverisë së SHBA për rolin e Shqipërisë në avancimin e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”, njofton ambasada.
E Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn, ka marrë detyrën më 5 gusht. Diplomatja amerikane zëvendëson në këtë detyrë David Wisner, i cili përfundoi misionin e tij në vendin tonë.