DETAJE/ Shpërthimi me tritol, 40-vjeçari e kishte marrë lokalin me qira, dëmtohen edhe dy biznese të tjera

Një sasi lënde plasëse shpërtheu rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, 28 nëntor, në ambientet e jashtme të një lokali.

Mësohet se lokali ndodhet në pronësi të 40-vjeçarit Armand Xhaferraj. Lënda plasëse është vënë në derën e jashtme dhe ka shkaktuar dëme edhe në dy biznese ngjitur, në një parkueri dhe në një biznes me pjesë këmbimi për automjete.

“Më datë 28.11.2023, rreth orës 05:00, është marrë njoftim se në rrugën “Sali Butka”, në ambientet e jashtme të një lokali në përdorim nga shtetasi Armand Xhaferraj, 40 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale”, njofton policia.

Mësohet se Xhaferraj e kishte marrë me qira ambientin. Dyshohet se lënda plasëse është vendosur për 40-vjeçarin pas një sherri për tokën përballë lokalit, tokë e cila shërben si parking në pallatin 10-katësh që u shkrumbua nga flakët pranë ish-parkut të autobusëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve./albeu.com


Shtuar 28.11.2023 10:06