Deformoi hetimet për vrasjen e Emiljano Ramazanit, GJKKO refuzon kërkesën e ish-drejtuesit të policisë

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e ish-drejtuesit të Policisë, Leonard Palushi për ndryshim masës së sigurisë, pasi është momentalisht në qeli.

Palushi kërkoi zëvendësimin e masës në “arrest shtëpie”, për arsye familjare pasi priste të operohej njëri nga fëmijët e tij, por gjykata nuk pranoi kërkesën e të pandehurit.

Ai akuzohet nga SPAK për orientim të gabuar të hetimit duke shpërdoruar detyrën për vrasjen e Emiljano Ramazanit.

“Kam bërë vetëm detyrën, ndoshta pak më tepër nga sa duhet. I kërkoj autoriteteve të marrin në mbrojtje familjen time. Kam një jetë që kam vënë veten në rrezik në operacione të ndryshme përfshirë goditjen e kultivimit të drogës apo arrestime të personave të rrezikshëm. Kam dy fëmijë të mitur të cilëve iu duhet siguruar jeta. Kam zbatuar me përpikmëri rregullat e policisë. Kam mbajtur prej dy vitesh qëndrimet e mia për ngjarjen, pasi jam pyetur rreth saj. Nuk kam asnjë lidhje me grupe kriminale apo persona të tillë. Kontaktet me Erion Alibej për shkak se i kishin vrarë të vëllain, Endrit Alibej bashkë me xhaxhain e tij dhe një shtetas turk. Takimet me të kanë ndodhur vetëm në këtë kontekst, të marrjes në pyetje dhe informacioneve që mund të dinte” , ka deklaruar më herët Palushi Gjykatës./albeu.com/