Sokol Jareci, Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, ka komentuar para ndeshjes së Superkupës përdorimin e sistemit VAR në duelin e sotëm. Ai ka shpjeguar se këto janë ende testimet e para dhe se FIFA nuk kishte licencuar ende përfundimisht Shqipërinë, vetëm teknologjinë që përdorej për të kontrolluar rastet e dyshimta.
“VAR ishte sfida kryesore e Federatës, projekt madhështor implementimi në Superiore, jemi akoma në fazën e trajnimit. Nuk jemi certifikuar ende nga FIFA, kemi certifikuar teknologjinë, tani mbetet certifikimi i arbitrave që do të administrojnë sistemin VAR.
Bën të mundur mospraninë e titujve apo “skandaleve” një ditë pas ndeshjes, apo në emisione, se bën të mundur evitimin e gabimeve të dukshme.
VAR do të marrë të gjitha kriteret që ka rregullorja e futbollit, nuk mund të vendosë disa centimetra më pak apo më shumë në pozicionin jashtë loje. Do të jetë i njëjti protokoll që përdoret në Europian dhe në kampionate të tjera. Është i njëjti protokoll që zbatohet mbi të gjitha vendimet.
Ne jemi në momentet e para. Jemi në trajnim e sipër, do na lejoni edhe gabimet se edhe arbitrat e kanë për herë të parë, janë emocionet. Si një arbitër i ri që del në fushë, janë të certifikuar nga UEFA, por emocionet bëjnë të vetën. Kjo nuk duhet të certifikojë gabimet, por pak nga pak do kohën e duhur për t’u përmirësuar”, tha Jareci për “SuperSport”.