57 mijë metra katror në Portin e Vlorës jepen me qira për 1 euro, Rama: E kanë bërë edhe vende e tjera

Kryeministri Edi Rama në konferecën me gazetarët është pyetur edhe për dhënien me qira 1 euro të 57 mijë metra katror në Portin e Vlorës për ndërtimin e një kompleksi.

Kreu i qeverisë tha se kjo është një praktike e ndjekur edhe nga vendet e tjera që kanë nxitur turizmin, duke marrë si shembull Turqinë apo edhe Malin e Zi.

Sipas tij ndikim në turizëm do jetë i jashtëzakonshëm dhe “nuk ka asnjë arsye ne botë për të vënë në pikëpyetje të tilla investime që kanë një rëndësi strategjike për vendin tonë”.

Pyetje: Qeveria juaj ka dhënë me qira 1 euro 57 mijë metra katror në Portin e Vlorës për të ndërtuar një kompleks rezidencial, çfarë përfiton shteti dhe publiku nga kjo vendimmarrje.

Rama: Në Vlorë do të ndërtojmë një nga 4 portet turistike të Shqipërisë. Ky është një ndikim i jashtëzakonshëm dhe nuk ka asnjë arsye ne botë për të vënë në pikëpyetje të tilla investime që kanë një rëndësi strategjike për vendin tonë.

Kur vendosen pikëpyetje lidhur me mënyrën si stimulohen investimet strategjike ne turizëm është mirë të  kihet parasysh se çfarë bëjnë vendet e tjera.

Investitorë shumë të rëndësishëm që na afrohen kërkojnë mbështetje financiare nga qeveria për të investuar në turizëm. Ne nuk jam direkt mbështetje financiare, por fakti që e kërkojnë do të thotë se ndodh në shumë vende të tjera.

Llogaria është shumë e thjeshtë, çfarë jep dhe çfarë merr. Ajo që merr në turizëm nuk është e drejtpërdrejta nga një investim aty, por është ajo që merr prapësht nga çfarë ai investim sjell.

Nëse do të shikoni si është ngritur turizmi në Turqi do habiten sa para nga buxheti ka dhënë shteti për ata që kanë ndërtuar hotele në fazat e para.

Nëse shikoni si është zhvilluar turizmi në Mal të Zi. Janë përdorur instrumente, që këtu do të vihej një flakë., Pra nuk ka asgjë për tu habitur dhe asgjë për të ngritur shqetësime nëse bëhet llogaritja çfarë i sjellin ekonomisë së një vendi, psh jahtet.

Ka dy rrugë o do ta ndërtojë shteti, ose do i’ia kërkosh kompanive të sipërmarrjes private. Në dijeninë tonë këtë e tërë Mesdheu e bën kështu sic e bëjmë ne, nuk e kemi shpikur ne.

Po ju them që në shumë investime të mëdha, shteti jep financim. Jo vetëm që nuk kërkon gjë tjetër, i jep terrenin, i heq taksat etj. Por i jep financim direkt./albeu.com


Shtuar 24.11.2023 15:28