Ikona e muzikës shqiptare, Vaçe Zela, ndërroi jetë 10 vite më parë, në moshën 75-vjeçare. Zemra e Vaçe Zelës, u ndal në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës.
Këngëtarja, e cila kishte vite që jetonte në Zvicër, ishte prej kohësh në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Prej vitesh ajo zotëroi skenën, si një këngëtare e papërsëritshme dhe e admirueshme për publikun. U rikthye në qytetin e lindjes, e derdhur në bronz, pranë qendrës kulturore, që mban emrin e saj.
Vaçe Zela, që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës me këngën “Fëmija i parë”.
“Falemnderit zotit që të pata! Ti ishe dashuria e jetës sime dhe do të jesh deri në frymën e fundit drita e shpirtit tim. Pa ty bota është më e varfër Mam”, shkruan Irma Rodiqi, vajza e këngëtares së madhe në një status në rrjetet sociale.
Në vitet e fundit të jetës, Vaçe Zela, e reduktoi në menyrë dramatike aktivitetin muzikor. Sidoqoftë ajo mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare.
Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, fuqia vokale e një talenti magjepsës, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbeti e papërsëritshme.