Rrëfehet ish-banori i “Big Brother”: S’ka ndjenjë më të mirë kur bëhesh baba

Një ish-model me vajzën e tij në duar dhe partneren, është portreti më i bukur familjar që mund të shihni! Në fillim të vitit 2019, ish-banori i “Big Brother”, Ervin Zyfi, i dha fund beqarisë.

Ish-modeli i propozoi partneres së tij të zemrës, me të cilën nisi edhe një jetë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për “Panorama Plus”, Ervini tha se kishte në plan që ta zgjeronte familjen dhe dëshira u bë realitet shpejt.

Ai postoi fotot e para nga materniteti vitin e kaluar me vajzën e tij, të cilën e kanë pagëzuar Juliana.

“Mirë se erdhe bebi Juliana! Zoti bekoftë familjen dhe gruan time të mrekullueshme!”, shkruante Ervini, ku dukej shumë i lumtur.

Por tashmë që e ka përjetuar dita-ditës rritjen e fëmijës së tyre në shtëpi, si ndihet me statusin e ri të babait?

Për “Panorama Plus”, Ervini shprehet: “Çdo gjë ka ndryshuar për mirë me ardhjen e vajzës në jetën tonë. S’ka ndjenjë më të mirë kur bëhesh baba. Unë tani mezi pres të kthehem nga puna e të luaj me vajzën. Ka ndryshuar çdo gjë në mënyrën si jetojmë. Shkojmë të flemë dhe zgjohemi të lumtur, pasi më parë kishte ditë që nuk dije ç’të bëje në mëngjes. Ndërsa tani kemi gjithnjë diçka për të bërë, pra, kemi një motivim më tepër. Me pak fjalë jeta nice si baba!”.

Në Amerikë, Ervini punon në ”Building remodeling Manhattan”, një agjenci e specializuar për rimodelimin e apartamenteve, shkollave, hoteleve, restoranteve etj.

Po si do ta përshkruante jetën që bën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? “Jeta e re, status i ri. Një ndjesi që nuk e kisha provuar më parë, diçka e re, plot emocione e përgjegjësi të reja, puna për të arritur diçka, gjithashtu puna për t’u integruar. Unë nuk kam shumë që jam transferuar në SHBA dhe mund ta them që fillimi ishte i vështirë. Vështirë të lëvizësh me lagje e jo më të lëvizësh në një kontinent tjetër si SHBA, por, faleminderit Zotit që kam në krah një person të mrekullueshëm! Për mua ajo është unike sepse ndodh rrallë të takosh një person që i ka të gjitha vetitë e mira të mbledhura bashkë: besimi, sinqeriteti, respekti, komunikimi, kompromisi, siguria. Është një person i fortë e këto veti ia ka transmetuar edhe marrëdhënies sonë, duke e bërë unike edhe atë. Është me fat dhe jam me shumë fat që e kam në krah! Me të lumturia dyfishohet dhe mërzia përgjysmohet”, shprehet ai.

Pyetjes nëse është mërzitur ndonjëherë nga jeta në Amerikë, duke qenë se shkon nga një eksperiencë e një vendi të vogël si Shqipëria, ai i përgjigjet: “Jetën e bën si të duash, jo vetëm në Amerikë, por në çdo vend të botës. Mund të them që e kemi në dorë vetë. Dhe në Amerike janë të gjitha shtresat, nga bilionerët tek endacakët e pastrehë. Ne si komunitet jemi shumë punëtorë dhe nuk ka shqiptar endacak. Ka nga ata që punojnë nga 20 orë, ka nga ata që punojnë 8 orë, ka nga ata që nuk punojnë më se e kanë siguruar të ardhmen. Unë punoj dhe po e shijoj jetën, pasi nuk po bëj vetëm punë. Kështu kam zgjedhur ta bëj jetën time. Megjithatë, më duhet ta pranoj dhe të them se fillimet normalisht janë të vështira dhe duhet të punosh që të arrish diçka”.

Ervin Zyfi para se të bëhej pjesë e “Big Brother” ka qenë një nga modelët e preferuar në Shqipëri, për fizikun dhe shtatlartësinë./Panoramaplus.al


Shtuar 6.06.2021 17:59