Prokuroria e Tiranës ditën e sotme ka kërkuar në gjykatë që Princ Leka Zogu të dënohet me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”, për ngjarjen e ndodhur në Oborrin Mbretëror muaj më parë. Ky dënim, sipas organit të akuzës duhet të konvertohet në shërbim prove.
Gjithashtu Prokuroria e Tiranës në pretencën e dhënë kërkon edhe dënimin me 6 muaj burg për ish-bashkëshorten e Lekës, aktoren Elia Zaharia, si dhe 1 vit për ish-vjehrrin Gjergj Zaharia. Ashtu si për Princin, edhe për Elian dhe babain e saj, organi i akuzës kërkon vënien në shërbim prove.
Pas vendimit, Elia ka reaguar për Euronews Albania, por ka zgjedhur të mos komentojë këtë vendim.
“Unë jam mirë! Sot ish prezent pas çeljes së panairit dhe do të jem për 3 ditë me radhë në ndjekje të përditshme.
Por, përtej promovimit të aktivitetit një koment për vendimin? Unë sot pata kënaqësinë dhe privilegjin të prezantoj çeljen e panairit të 27 të librit.
Komenti që kam është që i ftoj të gjithë në këto 5 ditë feste në ngjarjen më të madhe kulturore në vend! Libri është miku më i mirë, të mundëson të jetosh shumë jetë.”
E pyetur sërsh mbi vendimin e sotëm nga Prokuroria e Tiranës, Elia Zaharia thotë se çështja është në gjykim ende.
Më vjen keq, por nuk kam koment! Çështja është në gjykim e unë respektoj në heshtje procesin!
Princ Leka, ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i kësaj të fundit, Gjergj Zaharia akuzohen për dhunë në familje.
Hetimet nisën pas publikimit të një video dhe kallëzimit në prokurori për dhunë në familje. Më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se çifti, prindër të një vajze të vogël, kanë vendosur të ndahen pasi kanë pasur konflikte të vazhdueshme, mungesë komunikimi dhe se kishin ndërprerë bashkëjetesën.
Konfliktet e çiftit u bënë publike pas qarkullimit të një videoje, ku Leka, babai i Elias dhe vetë ajo, konfliktoheshin fizikisht mes tyre. Ndërkohë pas këtyre pamjeve, ata përfunduan në Gjykatë, me urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit.
Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për nxjerrjen e sekretit hetimor, pas publikimit videos së bujshme në Oborrin Mbretëror.
Më herët Princ Leka hodhi dyshime se kjo video është nxjerrë nga struktura e Policisë, apo dhe vet nga Prokuroria. Mirëpo, këto pretendime të Princit janë hedhur poshtë pasi organi i akuzës ka dalë në konkluzion se kjo video ka dalë nga vetë Princi, i cili ishte krijuesi dhe poseduesi i këtij materiali filmik.