Elvana Gjata dhe Dhurata Dora sollën bashkëpunimin e tyre të parë verën që lamë pas, “Gajde”, një këngë që u kthye padyshim në një hit. Mesa duket artistet duan ta përsërisin suksesin e këtij projekti, duke sjellë një tjetër bashkëpunim, këtë herë me një synim më të madh, pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion.
Lajmi është raportuar nga faqja në Instagram “Eurovision Kosovo”, të cilët shkruajnë se “jo zyrtarisht” mësohet se Elvana dhe Dhurata janë pranuar të jenë pjesë e FEST61, ndërsa RTSH-ja ka vendosur që për herë të parë kënga fituese e Festivalit të Këngës të zgjidhet edhe përmes televotimit.
Ndërkohë ajo cka shton dyshimin se lajmi mund të jetë i vërtetë është një “like” në listën e njerëzve që e kanë pëlqyer postimin, pikërisht nga Ilir Balija, menaxheri i Dhurata Dorës, por gjithsesi pritet konfirmimi zyrtar, që me gjasë do të vijë pas disa ditësh kur të publikohen projektet pjesëmarrëse në Festival.
Gjithsesi, nuk do të na vinte keq të shihnim dyshen Elvana & Dhurata në Angli vitin e ardhshëm me flamurin tonë.