Një prej traditave të Festivalit të Këngës, sidomos vitet e fundit, ka qenë hapja e eventit muzikor me këngën fituese të edicionit të kaluar, që njëkohësisht ka qenë edhe kënga e cila na ka përfaqësuar në Eurovizion. Megjithatë në nisjen e “Fest61”, të drejtuar këtë vit nga Arbana Osmani dhe ku kemi parë një numër të madh ndryshimesh nga festivalet e kaluara, nuk pamë një performancë nga Ronela Hajati, e cila vitin e shkuar triumfoi me “Sekret”.
Për mungesën e saj nuk është dhënë një arsye në hapje dhe në fakt, ende nuk dihet arsyeja përse këngëtarja nuk u ngjit në skenë si fituesit paraardhës të evenimentit, por tashmë kemi një reagim nga Ronela, e cila ka zgjedhur të japë këtë deklaratë në Twiiter:
“Tradita është një ligj i pashkruar që duhet të respekohet më shumë se asgjë dhe nga të gjithë. Por ne jetojmë në Shqipëri dhe shumicën e kohës institucionet janë sipër njerëzve.”
Ky reagim ka ardhur me tone më të ashpra në një reagim tjetër në Instagram ku këngëtarja shprehet se nuk u ftua të performojë këngën fituese të një viti më parë.
Postimi i plotë:
“Më ka aq shumë ky shprit e kjo gojë për të folur, por më duket sikur do t’i heq vetes riskun që Zoti do të ma japë një ditë, të gjithë atë që meritoj për kaq shumë vite punë, lot, mundim, pasion e dashuri kaq të madhe për muzikën!
Po. Unë nuk isha e ftuar për të për të performuar këngën fituese ashu si duhet! “Sekret” e ka marrë gjithë dashurinë që ka patur nevojë e për ktë i jam mirënjohëse vetëm publikut, këtu edhe jashtë! Kënga është laujtur në çdo cep këtë vit e më e gëzuar për këtë nuk mund të jem.
RTSH drejtimi mediokër e i vockël me veprime skuthe duke mos më përfshirë mua as në sisiglat e festivalit, nuk e heq dot suksesin që ka pas kënga! Çdo gjë ndodh për një arsye!!! T’ju shaj? Kurrë! S’ka fjalor që mund t’i përshtatet neverisë që më keni përcjellë! Në të gjithë botën vetëm mediat shqiptare kërkojnë me zor të bëjnë armiq nga hiçi! Qofshi me shëndet se mendjen e keni këllirë!!!