Miliarderi amerikan Elon Musk është përfolur shpesh më parë se konsumon droga për të mposhtur depresionin dhe stresin. Së fundmi ai ka rrëfyer se përdor ketaminë për të dalë nga një gjendje negative mendore.
Në një intervistë të transmetuar në rrjetin social “X” të hënën, Musk u pyet nëse do të konsumonte ndonjëherë drogë ose alkool. Ai mohoi të kishte marrë ndonjëherë substanca rekreative si kanabisi ose kokaina, me përjashtim të një rasti ku provoi kanabis me prezantuesin Joe Rogan në 2018-n. Megjithatë ai u shpreh se mjekët e tij i kanë dhënë ketaminë, e cila është një substancë e kontrolluar në SHBA.
“Ka raste kur kam një lloj… gjendje negative në trurin tim, si depresioni mendoj… depresioni që nuk është i lidhur me ndonjë lajm negativ, dhe ketamina është e dobishme për të nxjerrë një person nga këto korniza negative”, tha Musk.
Kritikët e Musk e kanë akuzuar prej kohësh për abuzim me lëndë narkotike.