Ajo u kurorëzua një vit më parë si “Miss Universe Albania”, ndërsa vetëm pas dy ditësh do të duhet të “dorëzojë” kurorën tek një tjetër vajzë. Ditën e djeshme në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon ishte e ftuar Deta Kokomani, durrsakja që mban momentalisht titullin si vajza më e bukur e Shqipërisë.
E pyetur nga Bieta për idhujt e fëmijërisë, Kokomani përmendi të ëmën dhe gjyshen si dy modele frymëzimi.
Në led u shfaq një foto e Detës me të ëmën dhe modelja nuk ngurroi të tregonte se shpesh dëgjon t’ i thonë “Më e bukur e ëma se e bija”.
“Unë jam rritur tek shtëpia e gjyshes ose ‘nonës’ siç i themi, sepse prindërit i kam pasur shumë të rinj. Më linin te nona dhe unë s’ dija të ikja më në shtëpinë time”, tha ndër të tjetra ajo.
Kokomani zbuloi edhe një talent të fshehtë që lidhej me gatimin. 22-vjeçrja ndau recetën speciale të sheqerpares, trashëguar nga gjyshja.