Historia e saj bëri bujë në “Për’puthen”. Çiljeta Kormuzi u bë pjesë e formatit për të gjetur dashurinë, pas dështimit të martesës së saj. Por problemet me babanë e vajzës së saj duket se e detyruan që të tërhiqet nga emisioni.
Përgjatë kohës që ajo ishte pjesë e “Për’puthen” ajo nuk e fshehu tradhtinë e partnerit të saj, duke u shprehur se ishte bërë shkak një person i tretë që raportit të tyre t’i vinte fundi. Por me largimin e saj nga spektakli, gjërat kanë ndryshuar për Çiljetën.
Pas deklaratave të saj se i kishte sistemuar marrëdhëniet me ish-bashkëshortin, ajo dhe partneri i saj po riprovojnë edhe një herë marrëdhënien aty ku e lanë vite më parë.
Teksa ishte e ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ajo tha se pas largimit nga programi i dashurisë ka kaluar më shumë kohë me vajzën e saj. Gjithashtu, ajo ka sqaruar edhe situatën me familjen e ish-bashkëshortit.
Çiljeta tregoi se partnerja e ish-bashkëshortit ka ndërhyrë në marrëdhënien e tyre, ndërsa problemet më të mëdha kanë nisur pasi ajo ka treguar në program rreth të shkuarës së saj.
“Personi i tretë që u fut mes nesh ndikoi në ndarjen tonë. Ish-burri dhe familjarët ndiheshin xhelozë për faktin që unë po ecja përpara me jetën”, tha Çiljeta.
Ajo shtoi se partnerja e bashkëshortit ka ndikuar negativisht në mendimet e familjarëve të tij, ndërsa marrëdhëniet e tyre kanë qenë të shkëlqyera. E pyetur rreth marrëdhënies me ish-vjehrrën, ajo shprehet se i thërret akoma mama duke ruajtur një marrëdhënie të afërt me të, pavarësisht rrethanave.
Çiljeta u tërhoq nga programi i “Për’puthen” pas debateve me ish-partnerin dhe familjen e tij. Ish-konkurrentja nuk hezitoi të fliste rreth pëlqimeve që mund të kishte krijuar në program dhe me kë mund të ishte përputhur. “Nuk pata kohë të pëlqeja dikë, por Melikun e njihja më shumë. Mund të isha përputhur me të”, u shpreh ajo.