Bujar Qamili ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu fillimet e tij në muzikë. Sot, ndërsa kanë kaluar rreth 50 vite karrierë, Bujari vlerësohet si një ndër zërat më të mirë shqiptare. Gjatë bisedës, ai rrëfeu se në fillim ka punuar në një fabrikë cigaresh me Gëzim Krujën për të kaluar më pas te kaldajet për disa vite.
Gjatë kësaj kohë këngëtari angazhohej edhe në muzikë. Më pas, Bujari rrëfeu se e spikatën dhe e bënë pjesë të festivalit të RTSH-së, ku dhe më pas karriera e tij do të lulëzonte.
“Ka qenë një ndërmarrje që kur jepej koncerti vinte dhe shihte Tano Banushi dhe shumë të tjerë, shihnin talentet dhe i merrnin.
Kur më dëgjojnë duke kënduar, fill të nesërmen më marrin në telefon në Teatro. Ishte Haki Katroshi, profesor i trombos në RTSH, dhe tha ti je ai çuni që ka kënduar mbreme. Urgjentisht me e sjellë në Tiranë sepse do ta fusim në festivalin e radios.”, tha ai.
Mes të tjerash, ai rrëfeu dhe arsyen se pse nuk largohet asnjëherë nga Shkodra. Këngëtari tha se gjatë viteve 90 i kishin ofruar për të jetuar në Australi por nuk kishte pranuar.
“Shkodra për mua është krenari. Nuk mund ta lë për një vend më të mirë që është në Evropë.Në ’94, ka qenë një shoqatë e kishës në Australi, dhe më thanë rri për komunitetin këtu sa herë që të kemi koncerte. Nuk e kam pranuar. Nuk e lashë gjallë.”, tha ai duke interpretuar më pas disa vargje për qytetin.