Gjykata Themelore e Prishtinës ka nisur sot seancën e parë për rastin e 53 personave që përballen me akuza për masakrën e ndodhur në Mejë dhe zonat përreth Gjakovës, ku gjatë datës 27 prill 1999 humbën jetën 377 civilë.
Të lidhura
None found
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet pa praninë e të akuzuarve, pasi asnjëri prej tyre nuk ka mundur të lokalizohet deri në çastin kur u dorëzua aktakuza.
Të pandehurit përballen me një sërë akuzash të rënda, përfshirë vrasje, tortura, sjellje çnjerëzore, kërcënime, shkatërrim të pronës, si dhe dëbim në masë dhe spastrim të popullsisë shqiptare.
Aktakuza për këtë rast ishte dorëzuar më 8 dhjetor të vitit 2023 dhe të gjithë individët e përmendur në të procedohen në mungesë.
Lista e personave të akuzuar përfshin: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miqunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçilo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshan, Danilo Zeçeviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shçepanoviq, Predrag Stojanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Lekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashqeviq, Dushan Prashqeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçilo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare, konkretisht të nenit 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 dhe protokolleve të tyre shtesë, duke kryer akte si vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, si dhe dëbim masiv dhe spastrim të popullsisë civile shqiptare.
Në periudhën 27-29 prill 1999, forcat e kombinuara policore dhe ushtarake serbe, nën drejtimin e të akuzuarve të sipërpërmendur, zhvilluan një ofensivë të gjerë dhe të organizuar kundër civilëve me kombësi shqiptare në territorin e Komunës së Gjakovës. Sulmi përfshiu fshatrat: Mejë, Korenicë, Junik, Vogovë, Devë, Zhub, Batushë, Koshare, Molliq, Brovinë, Nivokaz, Morinë, Berjahë, Ponoshec, Pacaj, Dobrosh, Sheremet, Dallashaj, Rracaj, Stubëll, Nec, Smolicë, Popoc, Shishman, Babaj Bokës, Ramoc, Rrypaj, Madanaj, Orize, Duzhnjë, Guskë dhe Brekoc.
