Vendet e NATO-s kanë filluar dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen e saj kundër Rusisë, njoftoi sot Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se ndërsa flasim, transferimi i avionëve F-16 nga Danimarka dhe Holanda është duke u zhvilluar” në Ukrainë”, tha kreu i diplomacisë amerikane, duke folur në një aktivitet në margjinat e samitit të NATO-s. “Këta avionë do të fluturojnë në qiellin e Ukrainës këtë verë,” shtoi ai.
Sipas Blinken, brenda dy ditëve të ardhshme pritet të shpallet një paketë e re ndihme “tepër e fortë” për Ukrainën. Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet gjithashtu në Uashington, tha se pret që sot të merren vendime për dërgesat e reja të avionëve F-16 në vendin e tij.
“Sot ne vazhdojmë të punojmë në Uashington. Në veçanti, do të ketë një vendim për F-16 shumë shpejt. Ne po rrisim numrin e avionëve të disponueshëm për Ukrainën”, tha ai në një video-mesazh të postuar në Telegram.