Aksidentoi për vdekje motër e vëlla në Kroaci, Apeli merr vendimin për modelen shqiptare

Modelja shqiptare Klevisa Ymeri që shkaktoi dy viktima në Kroaci do të vazhdojë të mbetet në paraburgim.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit të Dubrovnikut.

Sipas mediave kroate, më 10 korrik, gjyqtarja Dubravka Gjivanoviç mori vendimin se 29-vjeçarja shqiptare mund të lirohej nga burgu nëse jepte një garanci prej 79 mijë eurosh, por vendimi u rrëzua sot në Apel.

Familja e revoltuar e dy viktimave, kërkuan prishjen e vendimit, kërkesë që u mor parasysh.

“E pandehura është shtetase e Republikës së Shqipërisë, nuk ka asnjë familje, as lidhje biznesi me Republikën e Kroacisë, kështu që nëse do të ishte e lirë, do të mund të largohej nga territori i Republikës së Kroacisë dhe të vazhdonte jetën normalisht në Shqipëri. Shqipëria nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian, ndaj nuk është i detyruar që ta ekstradojë të renë”, shënuan në arsyetimin e tyre avokatët mbrojtës të familjes së viktimave.

Aksidenti ka ndodhur më 9 prill rreth orës 20:40 në qytetin Ratac, kur Ymeri, duke përdorur një automjet me targa sllovake, ka parakaluar mjetin përballë saj, lëvizje që shkaktoi në përplasje kokë me kokë me mjetin me të cilin udhëtonin dy viktimat, motër e vëlla, Stefan dhe Katartina. Të dy mbetën të vdekur në vend, ndërsa Ymeri pësoi lëndime të lehta. Pasi doli nga spitali më 12 prill, ajo u transferua në qendrën e paraburgimit.

Lidhur me dinamikën e ngjarjes, avokati i të pandehurës ka deklaruar se për respekt për viktimat nuk kanë kundërshtuar faktin që Ymeri ishte mbajtur deri më tani në paraburgim, por pretendojnë se akuzat e ngritura se ajo ishte me 170 km/h nuk janë të vërteta dhe kanë ndërmend që të kërkojnë lirinë në të gjitha hallkat e procesit.


Shtuar 23.07.2024 20:51