Rënia e inflacionit në 2,3 për qind gjatë korrikut dëshmon se situata ekonomike po stabilizohet, vlerëson VLEN. Sipas këtij koalicioni, rezultati pasqyron efektet e politikave institucionale të ndërmarra për mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për media të VLEN-it, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, deklaroi se inflacioni vjetor ishte 4,5 për qind dy vite më parë, kur VLEN mori përgjegjësinë për udhëheqjen e institucioneve, ndërsa në korrik të këtij viti ai ra në 2,3 për qind.
Sulejmani tha se niveli më i ulët i inflacionit është tregues i stabilizimit të gjendjes, duke nënvizuar se VLEN do të vijojë zbatimin e politikave për ruajtjen e standardit të qytetarëve.
Gjatë kësaj periudhe, sipas VLEN-it, janë zbatuar masa për forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe vendosjen e një rregulli më të madh në treg. Në këtë drejtim, Sulejmani veçoi zbatimin e Ligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, që ka për qëllim t’i mbrojë prodhuesit dhe konsumatorët nga keqpërdorimet në tregtinë e produkteve ushqimore dhe bujqësore.
Si një tjetër hap me ndikim, VLEN përmendi uljen e akcizës së derivateve, duke vlerësuar se kjo ndërhyrje ka ndikuar në zvogëlimin e kostove si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.
Sipas Sulejmanit, VLEN konsideron se qëndrueshmëria e çmimeve duhet të ecë paralelisht me shtimin e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave.
Në këtë kontekst, ai iu referua Planit Operativ për Punësim, në të cilin janë planifikuar rreth 40 milionë euro për punësim, vetëpunësim, trajnime dhe aftësim profesional.
Sulejmani theksoi se ulja e inflacionit përbën vetëm një pjesë të punës, pasi qytetarët kanë nevojë edhe për mundësi zhvillimi, të ardhura dhe vende pune.
VLEN pranon se ende nuk kanë marrë zgjidhje të gjitha problemet, por siguron se do të vijojë me politika që synojnë ta bëjnë përmirësimin e treguesve ekonomikë të prekshëm drejtpërdrejt në përditshmërinë e qytetarëve dhe në buxhetet familjare.
