Po vazhdojnë bisedimet mes Qeverisë dhe Aleancës për Shqiptarët për hyrjen e kësaj të fundit në ekzekutiv, në Maqedoninë e Veriut.
Por TV21, nga burime të tij, mëson se negociatat janë në fazë të hershme dhe se tani për tani diskutimi më i madh po bëhet brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, më saktë mes LSDM-së, BDI-së dhe Alternativës, se cila do të lëshojë dikastere që eventualisht do t’i merrte Aleanca për Shqiptarët nëse hyn në Qeveri.
TV21 po ashtu mëson se në Qeveri janë duke u përpiluar pako që do t’i propozohen ASh-së, e cila nëse vendos t’i bashkohet shumicës, të mund të zgjedh një prej 2 a 3 paketave që përmbajnë ministri dhe drejtori, e kështu as procesi i negociatave nuk do të stërzgjatej. Mësohet po ashtu se insistimi më i madh i ASh-së është marrja e Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilën tani për tani udhëheq Alternativa, parti e cila dukshëm nuk e ka mirëpritur idenë për hyrjen e ASh-së në Qeveri, e aq më pak heqjen dorë prej një ministrie siç është ajo e Shëndetësisë.
Nga burime brenda ASh-së mësohet se çdo vendim final për hyrje ose jo në Qeveri do të kalojë procesin e konsultimeve me anëtarësinë, pra do të sillet si një formë “referendumi” brendapartiak. Gjithashtu jozyrtarisht mësohet se në fundjavë, u.d. kryetar i ASH-së, Arben Taravari, do të qëndrojë në Tiranë për konsultime me faktorë të atjeshëm rreth idesë që ASh-ja të bëhet ose jo pjesë e ekzekutivit.
Përndryshe nesër mbushet një javë nga takimi mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe u.d. kryetar i ASH-së, Arben Taravari, por asgjë e re nuk thuhet zyrtarisht nga palët. Të pyetur se deri ku është procesi për hyrjen në Qeveri, nga ASh shkurt përgjigjen se “nuk ka ndonjë gjë konkrete”.