Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias së Maqedonisë (SPGPM) shpreh shqetësim për krijimin e një praktike, sipas së cilës Qeveria shmang në mënyrë të vazhdueshme përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve dhe pengon qasjen në informacione me interes publik. Një situatë e tillë, sipas sindikatës, u përsërit edhe gjatë ngjarjes së djeshme, kur shërbimi qeveritar për marrëdhënie me publikun iu përgjigj pyetjeve në mënyrë përzgjedhëse.
Të lidhura
None found
SPGPM thekson se Qeveria e ka për detyrë të mbajë komunikim transparent me opinionin. Sipas saj, heshtja nuk mund të përdoret si politikë, ndërsa pyetjet e gazetarëve nuk duhet të lihen pa përgjigje. Një qasje e tillë ua pamundëson gazetarëve verifikimin e informacioneve që kërkojnë, ndërkohë që konferencat për shtyp nuk mund të kthehen në monologë ku nuk lejohet parashtrimi i pyetjeve.
Sindikata rikujton se shërbimi i PR i Qeverisë ka përgjegjësi të qartë t’i përgjigjet çdo pyetjeje gazetareske dhe nuk i takon atij të vlerësojë nëse një pyetje “meriton” ose jo përgjigje. Përcaktimi i rëndësisë së pyetjeve nuk është kompetencë e shërbimeve qeveritare të komunikimit, por u përket gazetarëve, mediave dhe publikut. Për këtë arsye, SPGPM kërkon që kjo praktikë të ndërpritet.
Në reagimin e SPGPM-së kërkohet gjithashtu që zyrtarët qeveritarë përgjegjës për raportet me mediat të sillen ndaj gazetarëve me profesionalizëm dhe respekt./Telegrafi/
