Shteti do të ketë 179 milionë euro më shumë shpenzime krahasuar me planin fillestar, pas rishikimit të fundit të buxhetit. Sipas institucioneve, prioritet në këtë ndërhyrje kanë qenë investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore.
Me ndryshimet e reja, të hyrat totale parashikohen të rriten nga 374.9 në 379.2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet arrijnë në 425.2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor zgjerohet nga 39.2 në 46.1 miliardë denarë, por vijon të mbetet në 4.1 për qind të Prodhimit Bruto Vendor. Pjesa dërrmuese e mjeteve shtesë është orientuar drejt shpenzimeve kapitale, të cilat shtohen me 5.8 miliardë denarë, duke shkuar në 46 miliardë denarë.
Të lidhura
None found
Dy institucionet që marrin pjesën më të madhe të fondeve shtesë janë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me 2.3 miliardë denarë më shumë, kryesisht për ujësjellës, kanalizime dhe infrastrukturë mjedisore, si dhe Ministria e Transportit, me afërsisht 1.4 miliardë denarë.
Këto mjete do të përdoren për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-e, autostradës Shkup-Bllacë, hekurudhës Korridori 8, sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, impianteve për trajtimin e ujit, projekteve të efikasitetit energjetik, si edhe për ndërtimin dhe rikonstruktimin e objekteve arsimore, konvikteve studentore dhe infrastrukturës në zonat rurale.
Edhe Ministria e Arsimit do të ketë në dispozicion 426 milionë denarë shtesë, ndërsa fonde të tjera janë paraparë edhe për Shëndetësinë, KSHZ-në, subvencionet në bujqësi, standardin studentor dhe nxënësor, sportin dhe mbrojtjen sociale.
Mbulesa e deficitit buxhetor dhe e detyrimeve për shlyerjen e borxhit, në vlerën e përgjithshme prej 76.4 miliardë denarësh, do të realizohet përmes huamarrjes së brendshme dhe të jashtme. Prej kësaj shume, mbi 54 miliardë denarë janë parashikuar për përmbushjen e detyrimeve ndaj kreditorëve të huaj, ndërsa rreth 20 miliardë denarë do të shkojnë për kthimin e borxhit të brendshëm.
