Në 18 maj studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, do të dalin sërish në protestë për të kërkuar të drejtë e tyre legjitime që provimi i jurisprudencës të bëhet në gjuhën shqipe.
Vjosa Osmani nga Vitia tha se Kosova do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre.
Të lidhura
None found
“Shumë shpejt studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut organizojnë edhe një protestë për të mbrojtur gjuhën shqipe, të drejtën e tyre në arsim. Nga Vitia më lejoni t’u jap përkrahjen tonë të plotë, do të jemi me ta deri në fund, për të mbrojtur të drejtat e tyre që i kanë fituar në procese ndërkombëtare. Ne si Kosovë nuk duhet të përzihemi në çështje partiake në RMV, por asnjëherë nuk do të lejojmë që të drejtat e tyre të cënohen”, u shpreh Vjosa Osmani.
Në mbështetje të protestës së radhës të studentëve ka dalë edhe Ministri i administratës publike në Malin e Zi, Marash Dukaj.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore: të mësojnë dhe të vlerësohen në gjuhën e tyre amtare.
Kjo e drejtë garantohet nga ligjet vendore dhe standardet ndërkombëtare, sepse gjuha është themel i identitetit dhe dinjitetit kombëtar. Shoqëritë demokratike maten nga respekti që tregojnë për të drejtat e komuniteteve dhe zbatimin e barabartë të ligjit.
Mbështetje e plotë për studentët që me dinjitet po kërkojnë atë që u takon. Koha është për zbatim, jo për justifikime”, shprehet ai.
