Përplasja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po arrin kulmin

Presidenti bullgar Rumen Radev ka akuzuar politikanët maqedonas se po përpiqen të ndërtojnë identitet të bazuar në falsifikimet komuniste, jo në të vërtetat historike. I pyetur për reagimet në Shkup pas hapjes së klubit kulturor me emrin Vanço Mihajlov, Radev është përgjigjur se kur është fjala për fashizmin, duhet theksuar roli i Mihajllovit – ai kundërshtoi Hitlerin që ta tërheq Maqedoninë, siç tha ai, në një luftë vëllavrasëse me Bullgarinë.

“Jo Ivan Mihajllov, por njerëz të tjerë, në diktaturën jugosllave në Maqedoni, vranë dhe dëbuan dhjetëra mijëra në kampet e përqendrimit, vetëm pse vendosën të vazhdojnë të quhen bullgarë, e jo maqedonas. Ja, ky është fashizëm i vërtetë”, deklaroi Rumen Radev – President i Bullgarisë.

Pas deklaratës së këtillë të Radevit, reagime të ashpra nga presidenti dhe kryeministri.

“Në territorin e Maqedonisë nuk ka pasur asnjëherë llogore përqendrimi, as atëherë e as sot. Numri i dhjetë mijë të vrarëve është një gënjeshtër, praktikisht një gënjeshtër e pastër për qëllime politike”, u shpreh Stevo Pendarovski – President.

“Ky është një person që ka qenë bashkëpunëtor i Gjermanisë së Hitlerit dhe i Italisë së Musolinit dhe i Paveliqit dhe me këtë aspak nuk mund të kontribuojë si person që mund të jetë urë për të ardhmen, për miqësinë mes dy popujve dhe si urë për Rrugën evropiane të shtetit”, theksoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Sipas Kovaçevskit, ngjarja e së shtunës është provokim dhe Qeveria javën e ardhshme do të vendos se çfarë hapash do të ndërmerr për regjistrimin e klubit me emrin Vanço Mihajllov./Alsat.mk


Shtuar 21.04.2022 16:17