OBSH: Shpenzimet e qytetarëve të Maqedonisë për ilaçe janë shqetësuese

Drejtoresha për Sistem dhe Politika Shëndetësore në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me vërejtje ndaj sistemit shëndetësor në Maqedoni. Ajo tha se çdokush duhet të ketë qasje në mbrojtje shëndetësore pa përjetuar vështirësi financiare. Sipas raportit të fundit të OBSH-së shpenzimet shëndetësore ende janë shqetësuese për qytetarët, sidomos për ata që marrin asistencë sociale.

“Njëri nga raportet tona më të fundit për mbrojtje financiare e bërë nga ana e zyrës sonë në Barcelonë, tregon se harxhimet katastrofale shëndetësore ende janë shqetësim i thellë, veçanërisht për familjet e varfra. Në vitin 2018, 18 për qind nga xhepat e qytetarëve kanë qenë për barna, ndërsa këto pagesa përbëjnë 42 për qind nga harxhimet totale shëndetësore që është shumë larg nga përqindja e BE-së prej 22 për qind”, tha Natasha Azzopardi Muscat, Organizata Botërorë të Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari paralajmëroi ulje të përqindjes e shpenzimeve të qytetarëve për barna. Ndërkohë ai tha se që nga dita e hënë qytetarët do të mund t’i gjejnë barnat nga lista pozitive nëpër farmaci.

“Nga 16 shtatori pacientët mundet qe 9 barnat e reja ti gjejnë nëpër barnatore pa pagesë, pra që janë të vendosura si shtesë, pra, do hyjë në fuqi që nga e hëna. Ne jemi duke përgatitur platformë së bashku me OBSH-në, e cila do të sigurojë transparencë në të gjithë procesin, gjatë zgjerimit të listës në të ardhmen”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Maqedoninë e Veriut tha se duhet të krijohet sistem institucional për t’iu dalë në ndihmë nevojave të qytetarëve. Këto deklarata u bënë gjatë diskutimit për sfidat dhe mundësitë në procesin e zgjerimit të listës së barnave që janë përgjegjësi e Fondit Shëndetësor. /Alsat/


Shtuar 11.09.2024 13:42