Humb jetën tragjikisht në Greqi 55-vjeçari nga Maqedonia, plagosen 4 persona, mes tyre dy vajza 3-vjeçare

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në aksin rrugor Selanik-Petritis. Sipas mediave vendase mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i një prej mjeteve.

55-vjeçari nga Maqedonia ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa të plagosur kanë mbetur 4 persona të tjerë, shoferja e mjetit tjetër si dhe tre pasagjerët.

Makina e cila drejtohej nga 55-vjeçari dhe po shkonte drejt Kilkisit, u përplas “kokë më kokë” pak para orës 17:00 me një tjetër makinë që drejtohej nga një grua 44-vjeçare.

Në vendin e ngjarjes menjëherë mbërritën forcat e policisë dhe zjarrfikësit, të cilët u detyruan të nxjerrin 55-vjeçarin nga mjeti. Ai u dërgua pa ndjenja në spitalin AHEPA të Selanikut, ku u konstatua i vdekur.

Ndërkohë, 44-vjeçarja u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, po ashtu edhe tre personat e tjerë që ndodheshin me të në makinë, një 38-vjeçar dhe dy vajza 3-vjeçare.

Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit dhe hetimet paraprake po kryhen nga Policia Rrugore e Kilkisit.


Shtuar 25.08.2024 22:54