Fëmijët që nuk janë rivaksinuar në RMV nuk do të pranohen në kopshte

Kopshti “Fidani” që nga fillimi i regjistrimeve nuk ka pranuar fëmijë të pavaksinuar, ndërsa drejtoresha Gezime Bakiu thotë se nga nesër nuk do të pranohen ata që nuk janë rivaksinuar dhe për këtë kanë njoftuar edhe prindërit. Ai thotë se ka prindër që nuk duan t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Në këtë rast duhet të marrin mendim nga një komision specialistësh, por jo nga mjeku i familjes.

“Tani regjistrimet e reja, mendoj se nuk do të duan të rivaksinojnë fëmijët, atëherë duhet patjetër një mendim nga spitali i fëmijëve, për të treguar arsyet pse fëmija nuk mund të vaksinohet, mirë jo nga mjeku i familjes, por direkt nga spital, nga specialistët”, tha Gezime Bakiu.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, u bëri apel prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre dhe se cilët fëmijë do të pranohen e cilët nuk do të pranohen në kopshte, Demiri tha se nesër KSI-ja do të dalë me qëndrim.

“Ju lutemi vaksinoni fëmijët, ky është apeli kryesor. Sa i përket dilemave, nëse është i vaksinuar me 3 doza apo jo i rivaksinuar, a duhet të futet në kopsht apo jo, rregullat janë të rrepta, do të më jepni kohë, do t’i kërkoj Komisionit të Sëmundjeve Infektive të mbajë mbledhje gjatë nesër dhe të kemi një qëndrim që do të unifikohet, dhe do të bazohet në këshillën e Komisionit për Sëmundjet Infektive dhe do të dalim me një njoftim zyrtar”, thotë Ilir Demiri.

Për dallim nga qytetet e tjera, Shkupi ka numrin më të madh të fëmijëve të pavaksinuar. Nga ana tjetër, ka prindër që përballen me probleme për shkak të rivaksinimit të hershëm, kur për arsye shëndetësore apo të tjera nuk mund të rivaksinohen pas një viti e gjysmë dhe shtyhet.


Shtuar 14.03.2024 13:09