Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut/ Numërohen mbi 99 përqind të votave, kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm

Perditesuar: Në Maqedoninë e Veriut, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ka numëruar 99.03 për qind të votave nga të gjitha vendvotimet dhe kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.

Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 180.306 apo 19,93 % të votave. Në vendin e tretë është kandidati shqiptar Bujar Osmani.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve raportoi për një pjesëmarrje mbi 47% në votime, rreth 9% më shumë se në vitin 2019.

Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në raundin e dytë te zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota.

Kjo pasi në raundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.

Partitë shqiptare janë në garë me dy kandidatë, me Bujar Osmanin Fronti Evropian, nën drejtimin e BDI dhe opozita e bashkuar shqiptare, në koalicionin VLEN, me Arben Taravarin.

Bujar Osmani kryeson thellë në Strugë dhe Tetovë, ndërsa Arben Tavari prin kryesimin në Komunën e Gostivarit në diferencë të ngushtë prej 65 votash ndaj Bujar Osmanit.

Këto zgjedhje janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë ato do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Të drejtë vote kishin 1.814.317 votues, ndërsa në garë ishin 7 kandidatë.

Renditja

1-Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja e VMRO-së, me 362.682 vota apo 40,08 %

2-Stevo Pendarovski, kandidati i LSDM-së, me 180.306 vota apo 19,93%

3-Bujar Osmani kandidat i BDI me 120.903 vota apo 13,36%

4-Maksim Dimitrievski, kandidati i koalicionit ZNAM, 83.787 vota apo 9,26%

5-Arben Taravari, kandidati i VLEN, 83.356 vota apo 9,21%

6-Biljana Vankovska- Cvetanovska, kandidate e partisë ‘E Majta’, 41.172 vota apo 4.55%

7-Stevçe Jakimovski, kandidat i GROM, 8.103 vota apo 0,90%


Shtuar 25.04.2024 10:00