BDI i ka kërkuar Qeverisë dhe Ministrisë së Financave të bëjnë publike të dhënat e plota për institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe subjektet e tjera të kontrolluara nga shteti që kanë pasur para në Alta Banka. Sipas reagimit të sotëm të partisë, kjo pasqyrë duhet të përmbajë shumat e sakta, datat kur janë hapur llogaritë, mbështetjen ligjore dhe emrat e personave që kanë mbajtur përgjegjësi për vendimmarrjen.
Për BDI-në, zhvillimet rreth “Alta Bankës” nuk kufizohen te vështirësitë e një institucioni bankar. Partia vlerëson se ato prekin mënyrën e administrimit të parave publike, qëndrueshmërinë financiare të institucioneve publike dhe lidhjet e mundshme të vendimeve politike me interesat e bankave.
Të lidhura
None found
Vendosja e administrimit të përkohshëm dhe e kufizimeve për përdorimin e mjeteve nga Banka Popullore, sipas BDI-së, e bën të domosdoshëm një hetim institucional të menjëhershëm dhe të hollësishëm. Kjo kërkesë lidhet edhe me pasigurinë me të cilën po përballen institucionet dhe ndërmarrjet publike për vijimin e veprimtarisë së tyre financiare.
Partia e cilëson veçanërisht shqetësuese mungesën e përgjigjeve për sasinë e mjeteve publike të vendosura në Alta Banka dhe kriteret që i kanë shtyrë institucionet e ndërmarrjet publike të zgjedhin shërbimet e kësaj banke.
Në reagim kërkohet të sqarohet se cilët persona i morën këto vendime, kush dha miratimin dhe kush shqyrtoi rrezikun financiar për paratë publike. BDI ngre gjithashtu pikëpyetjen nëse zgjedhja është mbështetur në analiza financiare të pavarura e procedura transparente, apo nëse vendimmarrja institucionale është ndikuar politikisht.
Një tjetër çështje e ngritur nga partia është nëse janë shqyrtuar rreziqet që burojnë nga struktura e pronësisë së bankës. Ajo kërkon përgjigje edhe për ekzistencën e paralajmërimeve të mundshme, personat që i kanë marrë ato dhe hapat që kanë ndërmarrë më pas.
Sipas BDI-së, këto pikëpyetje marrin peshë edhe më të madhe pas informacioneve mbi procedurat ndaj pronarit të bankës amë në Serbi dhe dyshimet për keqpërdorime financiare që po hetohen atje.
Partia i kërkon ndërkohë Bankës Popullore të shpjegojë mënyrën si është ushtruar mbikëqyrja dhe si janë vlerësuar rreziqet. Në veçanti, ajo kërkon sqarime për ndryshimet në pronësinë e bankës dhe zhvillimet financiare të bankës amë.
BDI pret që Prokuroria Publike të ushtrojë kompetencat e saj për të verifikuar nëse drejtimi i mjeteve publike është shoqëruar me ndikim të paligjshëm, shpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi ose shkelje të tjera të ligjit.
Në përfundim të reagimit, partia thekson se diskutimi nuk ka të bëjë më vetëm me të ardhmen e Alta Bankës. Sipas saj, duhet të qartësohet nëse shteti ka dijeni për vlerën e parave publike të ekspozuara ndaj rrezikut, rrugën përmes së cilës ato janë vendosur në këtë bankë dhe personat që kishin detyrimin t’i mbronin.






