Policia e Maqedonisë së Veriut ka bastisur shtëpitë e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.
Sipas raportimeve të mediave vendase, kontrollet kanë ndodhur këtë të hënë, ndërsa Grubi nuk ka qenë në shtëpi në momentin e bastisjes. Ai ka njoftuar në rrjetet sociale se ndodhet jashtë shtetit për një vizitë private dhe do të kthehet në Shkup sapo të përfundojë angazhimet e tij.
Në shtëpinë e Bajramit, gjatë kontrollit autoritetet kanë sekuestruar një sasi të madhe parash. Dyshohet se ai ka ikur jashtë vendit, ndërkohë që familjarët kanë deklaruar se ai do të kthehet. Bastisjet janë bërë gjithsej në nëntë shtëpi, përfshirë ato të anëtarëve të Komisionit për Furnizime Publike në Lotarinë Shtetërore.
Kontrollet janë realizuar pas dyshimeve për përfshirjen e personave të lartpërmendur në aktivitete të krimit të organizuar që lidhen me Lotarinë e Maqedonisë së Veriut. Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër dhe anëtar i BDI-së, së fundmi është përfshirë në Listën e Zezë të SHBA-së për korrupsion.