Ndërsa Kosovës po i bëhet trysni e madhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe në Maqedoninë e Veriut.
Një nga krerët e partisë, Alternativa, Zeqirija Ibrahimi ditë më parë ka propozuar shumicë komunash shqiptarë në Maqedoni të Veriut, sipas modelit që kërkohet në Kosovë.
“Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin “të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!”, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” theksojnë nga Alternativa.
Mehazi: Thirrja e Alternativës për Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV mund të bëhen kërkesë reale e serioze nga vetë BE e SHBA
Duke e komentuar këtë, profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për Bota Sot ka thënë se kjo ide është për tu përshëndetur dhe se mund të bëhen kërkesë reale e serioze nga vetë BE-ja e SHBA-të.
“Kërkesa e Alternativës së Gashit për nismën e Asociacioneve të Komunave Shqiptare në RMV në llojin e asociacioneve serbe në Kosovë është për t’u përshëndetur, por vlera e kësaj thirrje ndaj partive tjera shqiptare do kishte peshë të madhe para se kjo parti të largohej nga qeveria e jo tani në rolin e partisë opozitare, disi thirrja e Alternativës për Asociacionet e Komunave Shqiptare më shumë është mllefuese ndaj partive në pushtet LSDM-së, BDI-së e ASH-së e nuk është fort e besueshme para qytetarëve shqiptarë për shkak se thirrja për Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV vjen pasi partitë e lartpërmendura e përzunë Alternativën nga pushteti.
Megjithatë me vetëdije apo pavetëdije, me inate apo pa inate thirrja e Alternativës për Asociacionet e Komunave Shqiptare në RMV mund të bëhen kërkesë reale e serioze nga vetë BE-ja e SHBA-të. Rrjedhimisht politika globale e fuqive të mëdha me anë të asociacioneve të pakicave qëllimshëm do luftonin shtetet pura nacionale. Dhe se idetë politike globale të fuqive të mëdha BE e SHBA me anë të pakicave do bllokonin shtetet e vrazhda nacionale, kështu që asociacionet e pakicave do balansoheshin me shumicën nacionale shtetërore. Pra, fryma politike globale e asociacioneve të pakicave do jetë frymë e re e politikës dhe diplomacisë botërore, do fillojë me asociacionet e pakicës serbe në Kosovë e do vazhdonte brenda Serbisë, do përhapej në RMV, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e kështu me radhë”, thotë ai.
Sipas Mehazit, modeli kryesor i politikës moderne botërore është asociacioni i pakicave brenda shteteve me shumicë nacionale. Tutje, ai shton se nuk janë të rastësishme dy planet e BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan, një, plani franko-gjerman i pakicave serbe në Kosovë dhe dy, plani francez i pakicave bullgare në RMV.
Edhe analisti Refik Hasani nga Lugina e Preshevës thotë se kushtetuta e RMV-së, duhet të ndryshohet dhe të pranohet se elementi konstituiv i këtij shteti janë edhe shqiptarët.
“Partitë politike shqiptare në Republika e Maqedonisë Veriore, ende nuk kanë realizuar të drejta që ju takojnë shqiptarëve, sepse përbëjnë nga statistika zyrtare me 40%, kurse realisht në Maqedoni të Veriut, shqiptarët përbëjnë shumicën e këtij shteti, pra përbëjnë me përqindje më shumë se vetë maqedonasit. Mbi të gjithë më shumë gëzojnë të drejta minoriteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës, e që përbëjnë afër 4%,se sa gëzojnë të drejta, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë Veriore, përkundër që janë mbi gjysma realisht e popullatës së këtij shteti. Kushtetuta Republikës së Maqedonisë Veriore do të duhej të ndryshohet, dhe të pranohet se elementi konstituiv i këtij shteti janë edhe shqiptarët”, theksoi Hasani.
Sipas tij, formimi i këtij asociacioni do të kishte po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë./Bota Sot