Bisedimet mes ASh dhe LSDM po zhvillohen në frymë të mirë dhe në atmosferë drejt arritjes së marrëveshjes.
Këtë e kumtoi vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili thotë se qëllimi i hyrjes së ASH-së në Qeveri është arritja e një shumice që ka qëndrim të qartë rreth ardhmërisë eurpiane të vendit. I pyetur për ndarjen e kulaçit, kryeministri mohon të kenë mosmarrëveshje për ndonjë resor.
“Nuk kanë qenë problem këta dy institucione, në përgjithësi nuk ka pasur probleme rreth institucioneve sepse në biseda të tilla flitet për marrjen e përgjegjësive rreth potencialit të kuadrove që ka çdo partner i koalicionit, si dhe në pjesën e ndarjes së përgjegjësive në pjesën e pjesëmarrjes në shumicë parlamentare.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Ndërsa kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se finalizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë më se voni deri nesër. I njëjti vlerëson se është jokorrekte të shpalos pozitat që ka marrë, deri sa nuk sigurohet plotësisht.
“Besoj se sot ose nesër finalizohet definitivisht marrëveshja dhe atëherë do ta bëjmë publike natyrisht të gjithë, edhe Qeveria edhe Aleanca për Shqiptarët. Mendoj se duhet të përfundojë komplet marrëveshja dhe atëherë të tregojmë. Mendoj se do ishte jokorrekte të themi diçka dhe nesër të mund të ndryshoje, kështu që kur të përfundojë plotësisht i nxjerrim para qytetarëve.”- pohoi Arben Taravri – Kryetar i ASH-së.
Sipas burimeve brenda partive, TV21 mëson se Aleanca për Shqiptarët do të udhëheq me disa dikastere dhe drejtori.
“Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, pozitën e një zv/kryeministri. Zv/ministrinë e Bujqësisë, zv/ministrinë e Mbrojtjes. Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Policinë Financiare.”/TV21