A do të ketë ndryshime në Qeverinë maqedonase, flet kryeministri Kovaçevski

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski tha sot se ndryshim në Qeveri do të ketë vetëm në postin ministror për vetëqeverisjen lokale, por jo edhe në postet kryesore të ministrive tjera.

“Ju thashë, do të ketë ndryshim në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, duke qenë se kemi dorëheqjen e ministrit. Nuk ka plan tjetër. Asgjë tjetër nuk është planifikuar”, tha kryeministri Kovaçevski, i cili sot vijoi mësimin e parë akademik në Fakultetin Ekonomik në Shkup.

Në vërejtjen se zyrtarët e LSDM-së kanë paralajmëruar “ndryshime të vogla” në Qeveri, Kovaçevski thekson se bëhet fjalë për “ndryshime shumë të vogla”.

“Mendoj se do të jenë shumë të vogla, duke qenë se Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë dhe i kryen obligimet e veta dhe e zbaton Programin ashtu siç është rënë dakord”, tha kryeministri./INA