Vrau gjysmën e popullsisë në Europë, shkencëtarët zbulojnë origjinën e “vdekjes së zezë”

Shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar origjinën e Vdekjes së Zezë, një murtajë që mori dhjetëra miliona jetë më shumë se 600 vjet më parë në Evropë, Azi dhe Afrikën e Veriut.

Në mesin e shekullit të 14-të, ndodhi një katastrofë shëndetësore që konsiderohet të jetë një nga episodet më domethënëse në historinë e njerëzimit deri më sot.

Murtaja u përhap nga Azia në Evropë, ku vlerësohet të ketë vrarë pothuajse gjysmën e popullsisë së kontinentit të atëhershëm, dhe origjina e sëmundjes ka mbetur e diskutueshme edhe sot e kësaj dite, pavarësisht nga forma e saj vdekjeprurëse që u tërhoq nga Evropa rreth shekullit të 18-të.

Pavarësisht përparimeve të tyre në teknologji, shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë origjinën e kësaj sëmundjeje të rrezikshme, deri më tani. Analizat e reja tregojnë se murtaja filloi në Kirgistan në Azinë Qendrore në fillim të viteve 1330.

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Stirling në Skoci, Instituti gjerman Max Planck dhe Universiteti i Tübingen analizuan mostrat e vjetra të ADN-së nga dhëmbët e skeletit nga një varrezë pranë liqenit Issyk Kul në malet e Kirgistanit verior, shkruan BBC.

Ata zgjodhën këtë vendndodhje për kërkime pasi vunë re një rritje të konsiderueshme të numrit të varrimeve në zonë midis 1338 dhe 1339.

Maria Spyrou nga Universiteti i Tubingen tha se ekipi renditi ADN-në e shtatë skeleteve. Ata analizuan dhëmbët sepse përmbajnë enë gjaku, kështu që ekziston një shans i lartë për të zbuluar patogjenët e formuar në gjak që mund të kishin shkaktuar vdekjen.