Vitamina D mund të mbrojë trupin nga disa lloje të kancerit

Të pasurit e një niveli të ulët vitamine D mund të lidhet me një risk më të lartë për zhvillimin e disa kancereve, sipas një studimi të publikuar nga “The BMJ”. Megjithatë, marrja e vitaminave D për të rritur nivelet e saj, kur ato janë aktualisht normale nuk duket se të ofron më shumë mbrojtje.

Vitamina D prodhohet nga lëkura pas ekspozimit ndaj diellit dhe mund të merret gjithashtu nga ushqimet e fortifikuara si qumështi dhe cerealet, si dhe nga suplementet.

Studiuesit analizuan të dhëna nga studimi prospektiv i bazuar në Qendrën Japoneze të Shëndetit Publik, që përfshinte 33,736 persona të moshës nga 40 në 69 vjeç. Pjesmarrësit dhanë mostra të gjakut, që u klasifikuan në katër grupe, duke filluar nga ata me nivelet më të ulëta të vitaminës D tek ata me nivelet më të larta. Më pas ata u monitoruan mesatarisht 16 vjet, kohë gjatë së cilës u regjistruan 3,301 raste të reja kanceri mes pacientëve.

Pasi u kontrolluan faktorët e tjerë që njihen si risk për kancerin, si mosha, pesha, aktiviteti fizki, duhanpirja, konsumimi i alkoolit dhe faktorët e dietës ushqimore, studiuesit zbuluan se nivelet e larta të vitaminës D lidheshin me një risk relativ për kancer, të ulur me 20%, si në femra dhe në meshkuj, krahasuar me ata me nivele të ulëta të vitaminës D. Nivelet më të larta të vitaminës D u duk se ofronin përfitimet më të qarta për të reduktuar riskun e kancerit të mëlçisë, sidomos në meshkuj. Studiuesit nuk zbuluan një lidhje mes niveleve të larta të vitaminës D dhe kacerit të mushkërive apo prostatës.

Nuk është e qartë se si vitamina D mund të ulë riskun për kancer, por faktorë të caktuar mund ta shpjegojnë këtë lidhje. Për shembull, studime të mëparshme kanë sugjeruar se vitamina D ka një efekt anti – inflamator dhe mund të pengojë kalimet e qelizave kancerogjene. Gjithashtu, personat që kanë tendencë të jetojnë një jetë më të shëndetshme qëndrojnë më gjatë në ambjente të jashtme dhe kështu janë më të ekspozuat ndaj dritës së diellit që gjeneron vitaminë D.

Studiuesit vunë re gjithashtu se duket se ka njëfarë limiti në influencën që vitamina D ka kundër kancerit, dhe se rritja e nivelit të vitaminës D në gjakun e një personi më shumë se 20 nanogramë për mililitër, që është sasia që konsiderohet e përshtatshme për shëndetin e kockës dhe atë të përgjithshmin, mund të mos ofrojë përfitime të mëtejshme.


Shtuar 25.01.2022 15:51