Grimi dhe kujdesi i lëkurës: Pse duhen hedhur produktet e blera para pandemisë

Çanta e madhe e makeup-it ose “dollapi” i vogël i kujdesit të lëkurës janë të mbushur me produkte, një pjesë e të cilave kanë skaduar dhe ne jemi të sigurt për këtë. Ju ndoshta e harroni ndonjëherë, por po, produktet kozmetike kanë një datë skadence të cilën nuk duhet ta injoroni. Nëse ju kujtohen produktet që keni blerë para pandemisë, është koha t’i shihni me kujdes dhe pse jo: T’I HIDHNI.

Ekspertë mjekësorë treguan për Huffington Post se cila është koha e përsosur për të hedhur produktet e makeup-it dhe kujdesit të lëkurës.

“Në varësi të cilësisë së produktit, formulimit dhe kimisë, janë të sigurt për një vit”, tha dermatologu i certifikuar Harold Lancer. “Nëse nuk është një produkt me cilësi të lartë, afati i përdorimit është tre deri në gjashtë muaj.”

Çdo produkt i kujdesit të lëkurës i hapur në mars të vitit të kaluar (ose më parë) duhet hedhur. Nëse keni hedhur paketimin ose nuk e shihni dot datën e skandecës, ka mënyra për të zbuluar nëse produkti është i sigurt.

“Kushtojini vëmendje një produkti të hapur,” këshillon Purvisha Patel, dermatologe dhe themeluese e Visha Skincare. “Kur nuk duket apo kur nuk mban të njëjtën aromë, ka skaduar dhe duhet të hidhet.”

Produktet e pahapura mund të jenë të sigurta për t’u përdorur, por kjo varet nga lloji i produktit dhe formulimi.

“Nëse keni pluhur që nuk është ekspozuar në ajër, atëherë duhet të jenë në rregull”, këshilloi Patel. “Nëse keni një buzëkuq ose një fondatinë të lëngshme, mund të krijojnë çarje. Këto produkte duhet të përzihen dhe të vlerësohen në lidhje me trashësinë dhe strukturën për të parë nëse funksionojnë ende.”

Patel vëren se shumica e produkteve të kozmetikës të cilat janë të pahapura duhet të jenë në rregull, me përjashtim të produkteve natyrore.

Çfarë ndodh nëse përdorni një produkt të skaduar?

“Mbajtja e një produkti për një kohë të gjatë mund të shkaktojë reaksione alergjike dhe nëse ka kontaminim të produktit me baktere, ka një rrezik në rritje për infeksion,” shtoi Patel.

Sytë janë më të ndjeshëm ndaj këtyre produkteve, ndaj me produktet e syve (rimel, penel, tone etj) duhet të tregoheni më të kujdesshëm.


Shtuar 7.05.2021 14:56