A duhet të mbajnë maska dhe distancim social edhe personat që janë vaksinuar?

Vaksinat anti-Covid, janë mjeti më i mirë që kemi në dispozicion për të dalë nga kjo emergjencë shëndetësore. Por fatkeqësisht, për aq sa ne dimë deri tani, ato nuk janë arma përfundimtare që do ta zhdukë koronavirusin e ri nga planeti ynë.

Edhe pse ka disa të dhëna, se vaksinimi masiv mund të zvogëlojë transmetimin e virusit, ne ende nuk kemi prova se individët e vaksinuar, nuk mund ta marrin virusin pa e ditur këtë gjë. Pa harruar faktin që vaksinat e ulin shumë rrezikun e sëmundjes, por nuk e përjashtojnë plotësisht atë.

Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore dhe ekspertët këmbëngulin, se të gjithë duhet të vazhdojmë të respektojmë masat e kufizimit dhe zbutjes: maskat dhe distanca sociale mbeten të nevojshme. Vaksinat që janë aktualisht në dispozicion, sigurojnë imunitet duke stimuluar prodhimin e antitrupave dhe qelizat e kujtesës.

Por ndërsa ato janë që të gjitha shumë efektive në parandalimin e formave të rënda të Covid-19, nuk do të eliminojnë plotësisht rrezikun e sëmurjes nga virusi. Prandaj, ky rrezik i mbetur mund të zvogëlohet më tej duke vazhduar të mbahet maska dhe një distancë e sigurt nga njerëzit e tjerë.

Vazhdimi i respektimit të masave parandaluese edhe nëse jeni të vaksinuar, është gjithashtu një akt përgjegjësie ndaj shëndetit të të tjerëve. Koronavirusi i ri, është një patogjen i frymëmarrjes që hyn në trup kryesisht përmes mukozës së hundës dhe aty fillon që të shumohet.

Njerëzit që preken të parët, zhvillojnë një reagim imun lokal, që çon gjithashtu në prodhimin e antitrupave, me synim kufizimin e përhapjes së virusit në pjesët e tjera të trupit.

Ndërkohë imuniteti që ofrohet nga vaksinat, zhvillohet në një formë të ndryshme.

Vaksinat injektohen në mënyrë intramuskulare dhe më pas nga vendi i injektimit antitrupat emigrojnë përmes gjakut në pjesët e sipërme të trupit. Gjithsesi, shkencëtarët nuk e dinë ende se sa antitrupat e gjeneruar në këtë mënyrë, mund të arrijnë në kohë në mukozën e traktit respirator për të parandaluar shumimin viral, në rastin kur koronavirusi përpiqet të infektojë trupin e njeriut.

Nëse nuk ka sukses, ose nëse ka, rrallëherë, patogjeni mund të krijojë infeksionin dhe të shumohet në mukozën e hundës. Në këtë rast, edhe nëse personi (që është vaksinuar), është mirë dhe asimptomatik, edhe një teshtimë e thjeshtë do të bënte që virusi të përhapet në mjedis dhe të mund të infektojë njerëz të tjerë, ndoshta jo të vaksinuar.

Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, kanë konfirmuar se po kryejnë studime për të verifikuar se deri në çfarë mase mund të parandalojnë produktet e tyre infeksionet e koronavirusit.

Për shembull, AstraZeneca po teston rregullisht vullnetarët e vaksinuar, për të kontrolluar për viruset në mukozën e hundës. Nga ana tjetër, Pfizer dhe Moderna, synojnë të testojnë gjakun e grupeve të vullnetarëve të vaksinuar, për të analizuar disa antitrupa të veçantë.

Prania e tyre do të tregonte se njerëzit, ndonëse të vaksinuar, e kanë marrë infeksionin e koronavirusit. Sidoqoftë, bazuar në të dhënat e disponueshme për momentin, ekspertët besojnë se me vaksinat aktuale është e lehtë të parandalohen format e rënda të Covid-19, më e vështirë për të parandaluar format e tjera simptomatike dhe shumë më e vështirë për të parandaluar infeksionin.

Për këtë arsye, do të jetë e nevojshme të punohet mbi gjeneratat e ardhshme të vaksinave anti-Covid për ta adresuar edhe këtë aspekt, në mënyrë që të stimulohet një imunitet më i madh lokal në traktin respirator. Ndoshta duke ndryshuar metodën e administrimit, për shembull duke përdorur një spraj për hundën.


Shtuar 14.04.2021 15:38