Pse i keni mishrat e dhëmbëve delikatë?

Gjakosje e shpejtë, mishra delikatë, ndjesi shijeje e pakëndshme në gojë, mishrat e dhëmbëve mund të sjellin një mori problemesh. Ju mund të keni mishra më të ndjeshëm, kavitete apo dëmtim të shpeshtë të dhëmbëve.

Pra, motivet janë të shumta, sipas Klinikës Cleveland. Ja shtatë arsyet e mundshme pse keni probleme me mishrat e dhëmbëve dhe si të gjeni një zgjidhje të pranueshme.

Po i pastroni shumë fortë

Larja e rregullt e dhëmbëve është një domosdoshmëri për shëndetin e gojës. Por, teprimet nuk janë të këshillueshme sepse ato mund të irritojnë indin e mishrave të dhëmbëve duke shkaktuar inflamacion. Përdorni një furçë me qime të butë, nëse keni mishra delikatë.

Keni probleme me gurëzat e dhëmbëve

Moslarja e dhëmbëve mund të bëjë që mishrat të dëmtohen. Higjiena e dobët e dhëmbëve mund të shkaktojë grumbullimin të gurëzave rreth vijës së mishrave të dhëmbëve gjë që çon në gjakosjen e tyre. Dentistët thonë që të përdorni një fill dentar të paktën një herë në ditë.

Vuani nga sëmundja e mishrave të dhëmbëve

Skuqja, ënjtja dhe gjakosja e mishrave të dhëmbëve mund të çojë deri në infeksionin e tyre. Nëse filloni të keni probleme me përtypjen e ushqimeve, drejtohuni tek një dentist.

Kërcisni dhëmbët

Kërcitja e përsëritur e dhëmbëve mund të shkaktojë inflamacionin e tyre. Bruksizmi mund t’i ndodhë kujtdo, por problemi shpesh shkaktohet nga ankthi i pakontrolluar, konstaton Klinika Mayo. Shumica e njerëzve që kërcasin dhëmbët nuk e kuptojnë pse e bëjnë, por kjo çon në muskuj të shtrënguar të nofullës, dhimbje koke ose dhimbje rreth nofullës, qafës etj.

Keni dhëmbë të shtrembëruar

Nëse keni dhëmbë të shtrembëruar, indi i tyre që mbulon rrënjët është më i ekspozuar ndaj përtypjes apo larjes dhe të gjitha këto çojnë në konsumim të dhëmbëve, e deri në gjakosjen e mishrave. Ju mund të vendosni tela për të rregulluar problemin me dhëmbët e shtrembëruar.

Pini duhan

Të gjithë e dimë që duhani mund të shkaktojë zverdhjen e dhëmbëve, por kjo ndikon edhe tek mishrat. Duhani ul sistemin imunitar dhe e bën më të vështirë luftën ndaj infeksionit të dhëmbëve. Mënyra më e mirë për të mbrojtur gojën nga efektet e pirjes së duhanit është thjesht të hiqni dorë nga ky zakon.

Piercing në gjuhë apo buzë

Një piercing oral mund të rrisë rrezikun për gjakosjen e mishrave të dhëmbëve. Shpimi shkakton acarim dhe inflamacion duke çuar deri në infeksion të mishrave.

 

 

 


Shtuar 4.10.2023 22:32