Ndarja ndodhi. Asgjë e jashtëzakonshme, por s’mund ta themi këtë sidomos në fillimet e saj.
Nuk ka shkëputje të lehta dhe përgjithësisht shumica e ndarjeve kalojnë nëpër disa faza.
Nëse s’ju duken të njohura skenaret më poshtë, s’keni përjetuar një ndarje të mirfilltë. Akoma të paktën.
Shok: Çfarë dreqin ndodhi?
Gjendja e shokut është teknika natyrale e trupit për të përballuar dhimbjen. Kështu që kur marrëdhënia juaj përfundon, ju nuk doni të përballeni me atë që vjen më vonë. Mund të jetë shumë e frikshme ose shumë konfuze. Kjo gjendje mosbesimi mund të zgjasë minuta, javë ose edhe muaj, nëse ndarja është vërtet e papritur. Gjatë kësaj faze nuk duhet të shqetësoheni nëse përjetoni probleme me frymëmarrjen apo me gjumin.
Mohimi: Jo nuk po ndodh!
Mohimi është mënyra se si ju refuzoni të pranoni realitetin apo ndjenjat. Nëse ju nuk pranoni ndarjen, atëhere kjo do të thotë që lini vend dhe hapësirë për një ribashkim të mundshëm.
Izolimi: Dua ta kaloj me veten time!
Sapo të keni pranuar ndarjen, nis një tjetër fazë e dhimbshme. Do keni të bëni me zhgënjimin dhe pikëpyetjet se ku dështoi marrëdhënia juaj. Mendimet tuaja mund të jenë të paorganizuara dhe një kaos i vërtetë. Nuk do keni asnjë dëshirë për të bërë gjëra, madje do flini ditë të tëra, pa bërë asnjë aktivitet. Do duhet ta kaloni edhe fazën e të qendruarit në errësirë, duke ngrënë akullore ose patatina!
Urrejtja: “Të urrej sepse më theve zemrën”
Në këtë fazë, ndjenjat shkojnë nga trishtimi tek zemërimi. Jeni të acaruar me veten tuaj për gabimet që bëtë, por të xhindosura me partnerin për gabimet e tij. Do ta gjeni veten duke djegur fotografi, apo duke e sharë tek miqtë. Bëni kujdes sepse kjo është faza kur gabohet më shumë!
Pendesa: Si ta kthej mbrapsht?
Ky është momenti kur ose vuani humbjen e tij, ose mundoheni të gjeni se çfarë bëtë gabim dhe që shkaktoi ndarjen. Ndonjëherë, nën efektin e mërzitjes, mund të bëni veprime ekstreme për ta kthyer mbrapsht, apo për të negociuar me të gabimet që ka bërë.
Depresioni: Nuk do ta harroj kurrë!
Deri tani, nuk e kishit kuptuar seriozitetin e humbjes dhe ky është momenti që nisni e reflektoni. Në këtë pikë, ju vjen në mendje koha që kalonit kur ishit të lidhur e detaje të tjera si këto. Mund të jetë pak e vështirë që të lini shtratin, madje mund të ndieni dhe dhimbje trupi, por që me kalimin e kohës, do të zbehen.
Pranimi: E kuptoj përse ishim bashkë, përse u ndamë dhe nuk ka problem, do kalojë.
Faza kur e pranoni ndarjen bën që për gjithë të tjerat t’ia vlejë barra qeranë. Më në fund, do ndiheni e çliruar dhe do të kuptoni se nuk mund të kapeni tek e shkuara. Dielli do të ndriçojë dhe ju do ndiheni mirë.