Pas dëshirës për të pasur gjithmonë përvojën më të madhe, historinë më të fortë ose përgjigjen e fundit mund të fshihet një pasiguri që nuk dallohet menjëherë.
Të lidhura
None found
Kur i tregoni dikujt se keni kaluar një ditë të vështirë, ai përgjigjet se dita e tij ka qenë edhe më e rëndë. Nëse përmendni një udhëtim, ju thotë se ka qenë atje më parë. Edhe në bisedat për shëndetin, punën apo marrëdhëniet, ai gjen menjëherë një histori personale, një këshillë dhe një përgjigje që e paraqet si përfundimtare.
Shumica prej nesh njeh të paktën një njeri të tillë. Çdo përvojë që ndani duket sikur ai e ka kaluar, e ka parë ose e ka kuptuar shumë kohë para jush. Nëse ndiheni të lodhur, ai pretendon se ka qenë edhe më i rraskapitur. Nëse flisni për një arritje, ai sjell në bisedë një sukses më të madh të vetin. Ndërsa kur përballeni me një problem, ju tregon menjëherë se çfarë duhet të bëni, edhe pa i kërkuar mendim.
Komunikimi me një person të tillë mund të bëhet shpejt i mundimshëm, sepse biseda humbet karakterin e një shkëmbimi të ndërsjellë. Në vend që të ndalet te ajo që po i tregoni, ai e përdor historinë tuaj vetëm si mundësi për ta zhvendosur vëmendjen te vetja.
Në psikologji, një sjellje e tillë mund të përkufizohet si prirje për ta drejtuar komunikimin rreth vetes. Sidoqoftë, fakti që dikush flet shpesh për veten nuk nënkupton automatikisht se ka çrregullim narcistik të personalitetit.
Kur shprehja “edhe mua më ka ndodhur” nuk tregon afërsi
Është normale që, kur dëgjojmë dikë të flasë për një përvojë të vështirë ose të gëzueshme, të kujtojmë diçka të ngjashme nga jeta jonë. Ndarja e një historie personale mund të jetë mënyrë për t’i përcjellë tjetrit mesazhin: “Të kuptoj dhe nuk je vetëm”.
Ajo që ka rëndësi është se si vazhdon biseda pas këtij momenti.
Një person që kërkon të krijojë lidhje të vërtetë me bashkëbiseduesin mund ta përmendë shkurt përvojën e tij, por më pas e rikthen fokusin te tjetri: “Edhe unë kam kaluar diçka të ngjashme. Po ti, si po ndihesh tani?”
Në të kundërt, ai që përpiqet ta kontrollojë bisedën nuk rikthehet më te ajo që sapo treguat. Ai zgjeron rrëfimin për veten, i krahason përvojat dhe, jo rrallë, e zvogëlon rëndësinë e historisë suaj. Në fund, ju nuk ndiheni të dëgjuar, por sikur keni shërbyer vetëm si audiencë, transmeton Telegrafi.
Pse disa njerëz duan të duken sikur dinë gjithçka?
Shkaqet e një sjelljeje të tillë mund të jenë të ndryshme. Disa persona nuk kanë mësuar të dëgjojnë dhe mendojnë se një bashkëbisedues i mirë duhet të përgjigjet menjëherë me një histori apo këshillë të tijën.
Të tjerë ndihen në siklet përballë heshtjes dhe përpiqen ta shmangin atë duke folur vazhdimisht për veten.
Megjithatë, për disa njerëz ekziston një nevojë e fortë për t’u dukur të aftë, me përvojë dhe të rëndësishëm. Pranimi se nuk dinë diçka, se nuk e kanë përjetuar një situatë ose se nuk kanë një përgjigje, mund t’i bëjë të ndihen më pak të vlefshëm.
Kjo mund të shfaqet në disa mënyra: flasin me siguri të tepruar edhe kur nuk kanë njohuri të mjaftueshme; e kanë të vështirë të pranojnë korrigjimin; japin këshilla pa ua kërkuar askush; ndërpresin të tjerët për të treguar përvojën e tyre; e shndërrojnë çdo temë në krahasim; dhe mund ta përjetojnë suksesin e dikujt tjetër si kërcënim ndaj vlerës së tyre.
Hulumtimet për tiparet narcistike tregojnë se dëshira e theksuar për status dhe njohje mund të shfaqet në forma të ndryshme të narcizmit. Disa persona e shfaqin hapur bindjen se janë më të rëndësishëm se të tjerët, ndërsa disa të tjerë kërkojnë vazhdimisht miratim, sepse në thelb ndihen të pasigurt.
A mund të fshihet pas mendjemadhësisë pasiguria?
Termat “mendjemadhësi” dhe “sedër e tepruar” përdoren shpesh për të përshkruar njerëz që reagojnë me ndjeshmëri të madhe ndaj kritikave, kanë nevojë për miratim dhe e përjetojnë keq faktin që dikush tjetër di ose arrin më shumë.
Në disa raste, pas kësaj paraqitjeje qëndron pikërisht pasiguria.
Kur vlera personale mbështetet kryesisht te admirimi dhe miratimi i të tjerëve, çdo kundërshtim mund të duket si poshtërim. Në të njëjtën mënyrë, njohuritë ose arritjet e dikujt tjetër mund të përjetohen si kërcënim.
Për këtë arsye, personi përpiqet të krijojë përshtypjen se “e ka ditur gjithmonë”, “e ka parë më herët” ose se “ka kaluar diçka edhe më të rëndë”.
Siguria që shfaqet nga jashtë nuk është gjithmonë tregues i një vetëbesimi të qëndrueshëm. Në disa raste, ajo mund të jetë një mënyrë për ta mbrojtur vetëvlerësimin.
Psikologët bëjnë dallimin mes tipareve narcistike grandioze dhe atyre vulnerabile. Personi me tipare grandioze e shpreh hapur ndjenjën e rëndësisë dhe kërkon admirim. Ndërsa tipi vulnerabil mund të duket më i pasigurt, por është veçanërisht i ndjeshëm ndaj kritikave dhe ndaj vlerësimit që merr nga të tjerët.
Megjithatë, nuk është e saktë që çdo person llafazan, mendjemadh ose i lodhshëm të quhet narcist. Diagnoza e çrregullimit narcistik të personalitetit mund të vendoset vetëm nga një profesionist dhe kërkon ekzistencën e një modeli të qëndrueshëm e të përhapur sjelljeje, jo thjesht të një zakoni të bezdisshëm gjatë bisedave.
Pse këto biseda na shterojnë emocionalisht?
Një komunikim i shëndetshëm përfshin kalimin e vëmendjes nga njëri person te tjetri. Njëri flet, tjetri dëgjon, bën pyetje dhe përpiqet të kuptojë; më pas rolet ndryshojnë.
Kur fokusi mbetet vazhdimisht te i njëjti person, bashkëbiseduesi tjetër nis të ndihet i padukshëm.
