Lambda: Çfarë dihet deri tani për variantin e fundit të Covid të përmendur nga OBSH-ja

Një variant i fundit i Covid i cili është theksuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, me emrin Lambda, është gjetur në të paktën 27 vende të ndryshme.

Lambda është veçanërisht i përhapur në të gjithë Amerikën e Jugut, pasi u shfaq për herë të parë në Peru në gusht të vitit të kaluar dhe po konstatohet gjithnjë e më shumë në këto vende.

Për momentin, varianti i gjetur edhe në Europë, nuk është vlerësuar si një “variant shqetësues” nga OBSH, megjithëse është një variant që kërkon vëmendjen e ekspertëve pasi është identifikuar që transmetohet.

Dominues në Peru, Lambda përbën gati 82% të mostrave të rastit të koronavirusit të raportuar gjatë majit dhe qershorit, sipas Organizatës Shëndetësore Panamerikane (PAHO).

Një studim i Shkollës së Mjekësisë Grossman në New York University që ende nuk është rishikuar nga kolegët, botuar më 3 korrik, sugjeroi që vaksinat janë efektive kundër variantit Lambda.

Për momentin, varianti më shqetësues sipas OBSH-së është varianti Delta.


Shtuar 12.07.2021 10:55